Ndryshimi i parashikimeve për rritjen ekonomike të Maqedonisë gjatë këtij viti, nuk i ka befasuar njohësit e çështjeve të ekonomisë. Ata thonë se zmbrapsje të tilla ka pasur edhe gjatë viteve të kaluara, pasi ato gjithmonë kanë qenë joreale, apo që nuk kanë korresponduar me realitetin ekonomik të vendit.
Sipas parashikimeve të Bankës Popullore të Maqedonisë, këtë vit rritja ekonomike pritet të sillet në 3.2 për qind dhe jo 4.1 për qind, siç paralajmërohej më parë.
“Nuk është hera e parë që Banka Popullore ndryshon parashikimet duke ndjekur politikat e Ministrisë së Financave dhe jo politikat e saj të pavarura”.
“Është e vërtetë se Maqedonia nuk mund të ketë rritjen e parashikuar duke u nisur nga fakti i krizës së përgjithshme politike që ekziston, por edhe i krizës ekonomike që mbretëron në Maqedoni. Pra, gjithë këta faktorë ndikojnë që rritja ekonomike të mos jetë në shifrat e parashikuara”, thotë Izet Zeqiri, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, thotë se në ndryshimin e parashikimit për rritjen e ekonomisë, kanë ndikuar shumë faktorë, si zhvillimet në ekonominë evropiane, si dhe faktorët e brendshëm që ndërlidhen me krizën politike.
Por, ai beson se ekonomia e Maqedonisë ka arritur fuqishëm t’i përballojë sfidat e tilla, ndërsa që tani paralajmëron rritje edhe më të madhe në dy vjetët e ardhshëm.
“Ky vit ishte me shumë sfida, kishim dy goditje të fuqishme, por ekonomia jonë dëshmoi se ka bazë të shëndoshë zhvillimore dhe në kushte të këtilla, rritja ekonomike do të jetë thuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar, pra me rreth 3.2 për qind. Ndërsa, në vjetët e ardhshëm presim që rritja ekonomike të jetë diku në 3.5 për vitin 2016 dhe deri në 4 për qind gjatë vitit 2017. Në rritjen ekonomike, do të ndikojnë stimulimet për investimet e jashtme, eksportet, kushtet e mira të tregut, e faktorë të tjerë”, deklaron Bogov.
Nga ana tjetër, profesori Izet Zeqiri konsideron se ekonomia e vendit ndodhet në gjendje të rëndë dhe se për këtë flasin qartë raporti i Bankës Botërore dhe në veçanti, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian.
Zeqiri thotë se realiteti është krejt ndryshe nga ai që e prezantojnë zyrtarët, pasi varfëria në vend, nga dita në ditë, rritet, ndërsa të dhënat statistikore mbi papunësinë, nuk korrespondojnë me realitetin.
“Po të analizohet edhe raporti i Bankës Botërore, edhe ai i Komisionit Evropian nënkuptohet se në Maqedoni ka një krizë të thellë ekonomike, që shihet në fuqinë blerëse të qytetarëve, në kapacitetin e firmave, të mos flasim për parametrat tjerë që tregojnë qartë se Maqedonia gjendet në krizë".
"Kemi 31 për qind [të popullsisë] të varfër në Maqedoni, ndërsa numri i të papunëve është shumë i lartë, edhe pse ky numër është ulur në mënyrë administrative në 28.5 për qind, por numri real është shumë më i madh“, vlerëson Zeqiri.
Në mungesë të strategjisë për nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike, Qeveria e Maqedonisë ka zgjedhur politikën e huamarrjes.
Së fundi, ajo ka vendosur për një borxh të ri prej gjysmë miliardë euro që duhet të kthehet në një afat prej 10 vjetësh.
Të dhënat e Ministrisë së Financave flasin se deri në fund të shtatorit, borxhi publik i Maqedonisë ka arritur në 3.94 miliardë euro, apo 43.9 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto.
Ekspertët kanë kritikuar ashpër politikat e huamarrjes duke tërhequr vërejtjen nga rreziku i madh që mund t’i kanoset ekonomisë së Maqedonisë.