Ndërlidhjet

Sulmet në Paris dominojnë samitin e G20-ës


Paris
Paris

Udhëheqësit botërorë janë mbledhur të dielën në jug të Turqisë, për një samit të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

Takimi dyditor në qytetin Belek do të fokusohet në luftën kundër terrorizmit, por edhe çështje të tjera globale.

Ai vjen pas sulmeve të së premtes në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë së paku 129 persona dhe të plagosur mbi 350.

Duke i cilësuar ato si goditje mbi botën e civilizuar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se SHBA do të punojë me Francën për të kapur përgjegjësit.

Ai i ka bërë këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Obama, po ashtu, ka thënë se me Erdoganin janë pajtuar që të thellojnë fushatën për të eliminuar grupin militant të Shtetit Islamik.

Ne po përballemi me një përpjekje kolektive terroriste. Ky veprim terrorist nuk është vetëm kundër popullit të Francës, por kundër gjithë njerëzimit”, ka thënë në anën tjetër Erdogan.

Përgjegjësinë për sulmet e shumëfishta në Paris e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka folur në samitin e G20-ës për nevojën që t’i jepet fund konfliktit të armatosur në Siri.

“U bëj thirrje pjesëmarrësve në samitin e G20-ës që të tejkalojnë dallimet dhe të nxisin armëpushim mbarëkombëtar, të luftojnë terrorizmin dhe të adresojnë qeverisjen dhe çështjet kushtetuese në Siri. Pas disa vitesh ndarje, ky është një moment i rrallë i mundësisë diplomatike për t’i dhënë fund dhunës dhe për të avancuar kërkimin e një zgjidhjeje të negociuar politike”, ka thënë Ban.

Brenda Francës, disa kallashnikovë janë gjetur të dielën në një makinë të braktisur, e cila besohet se është përdorur nga sulmuesit e Parisit.

Makina e zezë, Seat, është gjetur në lagjen Montreuil, duke lënë të kuptohet se disa sulmues mund të jenë larguar.

Më herët, hetuesit francezë kanë thënë se kanë identifikuar njërin nga sulmuesit.

Omar Ismail Mostefai, 29 vjeç, është identifikuar nga një gisht i prerë, që është gjetur në njërin lokacion të sulmeve.

Mostefai, shtetas francez me origjinë algjeriane, ka pasur histori të krimeve të vogla.

Babai i tij, vëllai dhe kunata janë në mesin e gjashtë personave të afërt me Mostefain, të cilët raportohet se janë marrë në paraburgim.

Sulmet e koordinuara, të premten mbrëma, kanë goditur gjashtë lokacione të ndryshme në Paris, përfshirë një sallë të koncerteve, një stadium sporti, restorante dhe bare.

Shtatë sulmues të armatosur rëndë, kanë hedhur veten në erë.

Prokurorët francezë kanë thënë se sulmet janë kryer nga tri ekipe të koordinuara të personave të armatosur dhe sulmuesve vetëvrasës.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se mbajtësi i një pasaporte siriane, e cila është gjetur pranë trupit të njërit prej sulmuesve, “është regjistruar më 7 tetor në pikën kufitare në Preshevë, ku edhe ka kërkuar azil”.

Kjo pikë ndodhet midis Serbisë dhe Maqedonisë. Autoritetet greke kanë konfirmuar se dokumenti është përdorur për të udhëtuar përmes ishullit Leros, më 3 tetor.

Franca ka nisur të dielën tre ditët e zisë kombëtare. Kryeministri Manuel Valls ka thënë se Franca do të vazhdojë sulmet ajrore kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri. Ai e ka përshkruar grupin ekstremist si armik të organizuar shumë mirë.

Presidenti Francois Hollande ka anuluar planet për të ndjekur samitin e G20-ës në Turqi dhe është duke mbajtur takime me liderë të ndryshëm politikë për të diskutuar për krizën.

Hetimet janë fokusuar edhe në një lidhje të mundshme me Belgjikën, pasi policia atje ka arrestuar tre persona në kufirin me Francën.

Presidenti Hollande ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.

Sulmet në Paris kanë qenë më vdekjeprurëset në Evropë që nga bombardimet në Madrid, në vitin 2004.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG