Ndërlidhjet

Bruto Produkti për kokë banori, 257 euro në muaj


Prodhime vendore
Prodhime vendore

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin se Kosova ka një rritje të pamjaftueshme ekonomike në krahasim me të ardhurat kombëtare për kokë banori si dhe në krahasim më standardin jetësor të qytetarëve, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara një ditë më parë, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë për vitin 2014 është 3084 euro, apo në muaj 257 euro.

Derisa, rritja ekonomike në vitin 2014 thuhet të ketë qenë 1.2 për qind.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se këto të dhëna tregojnë se Kosova ka nevojë të jashtëzakonshme të rritjes ekonomike nga 6 deri në 8 për qind, për të frenuar thellimin e shkallës së papunësisë.

“Ne nuk duhet të reflektojmë jashtëzakonisht optimist nëse kemi rritje 1.2 për qind për arsye se totali i GDP-së së Kosovës është jashtëzakonisht i vogël dhe 1.2 për qind nëse e marrim në milion euro është një shumë simbolike në krahasim me vendet që kanë trilionë dollarë dhe atje 0.1 për qind rritje ekonomike me automatizëm nënkupton miliarda”, thekson Gashi.

Konsumi, tregon Gashi, është parametri kryesor makroekonomik i cili ndikon në rritjen e Bruto Produktit Vendor në Kosovë, pastaj vijnë investimet, buxheti i shtetit.

Por, siç thekson Gashi ajo që më së shumti e ulë shkallën e Bruto Produktit Vendor në Kosovë, është eksporti shumë i ulët në krahasim me importin.

“Për rritjen e GDP-së në Kosovë na nevojiten dy fusha prioritare, është shtimi i investimeve dhe prodhimtaria ose shërbimet vendore në raport me importin e jashtëzakonshëm. Nëse këta dy parametra i favorizojmë atëherë ne me automatizëm do të kemi rritje afatgjate ekonomike. Rritja e investime bëhet përmes një klime investive e cila është e përgjithshme, kur përfshihet edhe stabiliteti politik”, shton Gashi.

Të ardhurat për kokë banori, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, llogaritet të jetë shumë më e ulët se 257 euro në muaj për disa familje në Kosovë.

Kryetari Organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se me të ardhurat mujore që kanë familjet në Kosovë, nuk arrijnë t’i përmbushin as nevojat elementare për jetë.

“Kjo varfëri në Kosovë disa familjeve iu pamundëson që të informohet, ai nuk ka mundësi të blejë as gazeta, nuk ka mundësi që të paguajë as internet. Janë shumë familje me 6 deri në 7 anëtarë që punon vetëm një prej tyre dhe ka një rrogë shumë të ulët. Të gjithë këta qytetarë vështirë se mund të kenë një standard të mirë jetësor”, shton Kaçaniku.

Gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale e shumë familjeve në Kosovë, shton Kaçaniku, duhet të jetë një sinjal për qeverinë që të ndërmarrë veprime konkrete për zbutjen e varfërisë dhe papunësisë.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kishte shënuar rënie të lehtë nga 30.9 për qind në 30.0 për qind midis viteve 2012 dhe 2013, mirëpo ka shënuar rritje në 35.3 për qind në vitin 2014.

Ndërkohë, një raport i Bankës Botërore kishin vlerësuar se rritja ekonomike në Kosovë prej një për qind në vitin 2014, dhe tre për qind e parashikuar në vitin 2015, është e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë, varfërisë dhe për parandalimin e largimit të qytetarëve nga vendi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG