Ndërlidhjet

Partitë në Maqedoni arrijnë marrëveshje për pikat kontestuese


Maqedoni, lideret politik
Maqedoni, lideret politik

Partitë politike në Maqedoni kanë harmonizuar qëndrimet për çështjet kontestuese të marrëveshjes politike duke i hapur kështu rrugën zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, që rrezikonte humbjen e rekomandimit për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian, por edhe pasoja tjera për stabilitetin e sigurisë.

Partitë janë marrë vesh për shumë çështje, përfshirë edhe ato më të ndjeshmet që kishin të bënin me kompetencat e ministrave në qeverinë kalimtare dhe propozim/ligjin për ndalimin e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike.

Kryeministri, Nikolla Gruevski, pas takimit që ka përfunduar pas mesnate tha se suksesi më i madh qëndron në atë se opozita, sipas tij, nuk ia arriti qëllimit për shtyerjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Qëllimi jonë strategjik si parti ishte që të betonohet data e mbajtjes së zgjedhjeve pasi kishte përpjekje nga ana e LSDM-së për shtyerjen e tyre, por ne nuk lejuam dhe insistuam që ato të mbahen më 24 prill, ashtu siç parashihet me marrëveshje".

"Pra, mendoj se u bë mirë pasi kryesorja ishte që zgjedhjet të mos shtyhen. Ne i besojmë popullit, ne besojmë në vendimet e tij, ai di të bëjë zgjedhje të mira, populli e di se kush punon e kush tenton që përmes gënjeshtrave të vijë në pushtet. Pra, populli është ai që do të vendos se kë duhet votuar“, ka deklaruar kryeministri, Nikolla Gruevski.

Ai premtoi se do të respektojë të gjitha afatet edhe sa i përket dorëheqjes së tij.

Në bazë të marrëveshjes, qeveria e re kalimtare me një kryeministër të ri nga radhët e VMRO-DPMNE-së, duhet të inaugurohet më së voni deri më 15 janar të vitit 2016, apo 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të parapara të mbahen më 24 prill.

Gruevski nga posti i kryeministrit duhet të tërhiqet nga mesi, apo fundi i muajit dhjetor.

“Gjithçka që parashihet me marrëveshjen e arritur do të respektohet nga ana jonë, pra ne do të respektojmë atë që është nënshkruar“, ka theksuar Gruevski duke mos përjashtuar mundësinë për siç u shpreh pengesa të reja nga ana e opozitës me qëllimin pengimin e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës, Zoran Zaev, theksoi të kundërtën se fajtor për të gjitha ngecjet e zbatimit të marrëveshjes është pushteti aktual dhe kjo sipas tij, dëshmohet edhe me pengesat që janë bërë në zgjedhjen e prokurores speciale dhe të ekipit të saj.

Zaev, ndërkohë publikoi edhe emrat e ministrave që partia e tij do të udhëheqë në qeverinë kalimtare.

“Marrëveshje e arritur shënon një fillim të ri për Maqedoninë dhe të gjithë qytetarët e saj. Ministër i ri i Punëve të Brendshe do të jetë Oliver Spasovski, sekretar aktual i LSDM-së, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale do të jetë Frosina Remenski ndërsa janë caktuar edhe emrat e zëvendësministrave të disa ministrive tjera që do të drejtohen nga VMRO-DPMNE-ja".

"Kemi arritur marrëveshje për ligjin e qeverisë dhe ligjin për informatorët, ligjin për mbrojtjen e privatëisë nga bisedat e përgjuara telefonike apo ligjin e bombave, pastaj për kodin zgjedhor dhe çështje tjera“, ka deklaruar kreu i opozitës, Zoran Zaev.

Marrëveshja parashikon që zëvendësministrat të kenë të drejtë të vetos ndaj vendimeve të ministrave lidhur me zgjedhjet e parakohshme.

Propozim-ligji për “bombat” parashikon dënime për mediat vetëm në rast të publikimit të bisedave të përgjuara telefonike që prekin privatësinë, por jo edhe për bisedat ku janë përfshirë politikanët e që vlerësohet se prekin interesin publik

Pas takimit është prononcuar edhe kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ai tha se nga marrëveshja e arritur nuk ka të humbur dhe fitues.

“U bë mirë për Republikën e Maqedonisë, për qytetarët e saj. Sigurisht që me këtë marrëvëeshje askush nuk është triumvues, të gjithë janë fitues, para nuk ka të humbur dhe jam i bindur se kemi bërë një punë të mirë“, ka deklaruar kryetari BDI-së, Ali Ahmeti.

Marrëveshja u arrit me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar, të dërguarit të Bashkimit Evropian, ekspertit belg, Piter Vanhoutte dhe ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së, Aivo Orav dhe Jess Baily.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG