Ndërlidhjet

Projekt-buxheti 2016, i pamjaftueshëm, por stabil


Ilustrim
Ilustrim

Buxheti i Kosovës i parashikuar për vitin tjetër, nuk siguron përmirësim në sferën ekonomike dhe sociale, por sipas ekspertëve për çështje ekonomike, konsiderohet buxhet stabil.

Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, është shqyrtuar dhe miratuar nga Qeveria e Kosovës, në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro apo 100 milionë euro më shumë se në buxhetin e këtij viti.

Megjithatë, sipas zyrtarëve qeveritarë, buxheti për vitin tjetër siguron financim të qëndrueshëm.

Nga shuma e përgjithshme e buxhetit, 22 për qind do të shpenzohen për çështje ekonomike, po aq edhe për çështje sociale.

Për arsim do të shpenzohen 17 për qind, për shëndetësi 11 për qind, shpenzimet për rend dhe siguri 9 për qind, kurse për sektorët tjerë shpenzimet do të jenë nën 5 për qind.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, buxhetin e parashikuar për vitin 2016 e quan buxhet stabil.

“Është e vërtetë se buxheti për vitin e ardhshëm nuk garanton një rritje dhe qëndrueshmëri ekonomike të merituar çfarë meriton Kosova. Por, besoj se është një buxhet që i përmbush kërkesat për stabilitet social dhe në një nuancë të vogël të përmirësimit të jetës së qytetarëve në Kosovë,” tha Gërxhaliu.

Projekt-buxheti i vitit 2016, nuk ka ndonjë dallim të madh me buxhetin e këtij viti, thotë profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.

Në krahasim me buxhetin e këtij viti ndryshojnë disa komponente, por struktura e shpenzimeve, thotë ai, mbetet e njëjtë.

Kurse sa i përket të dalurave buxhetore, Bektashi pohon se ka një ndryshim apo rritje të mjeteve tek çështjet sociale, por nuk është paraparë ndonjë rritje e pagave.

“Në këtë vit në projekt-propozimin e buxhetit, parashihet një ngritje e lehtë e të dalurave për pensionet që kapin një shumë prej 91 milionë euro si dhe për kompensimin e përvojës së punës dhe asistencës sociale".

"Ndërkaq, zvogëlime në projekt-propozim janë vërejtur tek mallrat dhe shërbimet, që është normale në shtetet që kanë mungesë të mjeteve segmentin e parë që e shkurtojnë janë mallrat dhe shërbimet”, tha ai.

Megjithatë, Safet Gërxhaliu, pohon se Kosova meriton një vlerë më të lartë buxhetore, por këto janë mundësitë financiare. Pavarësisht vlerës buxhetore, ai shprehet se buxheti duhet të menaxhohet në mënyrë të duhur.

"Është e vërtetë se Kosova meriton më tepër, mirëpo është një buxhet që dëshmon se jemi këtu ku jemi. Ky është një realitet duhet të pranohet dhe më kaq mundësi duhet mirë të menaxhohet duke rritur përgjegjësinë institucionale dhe individuale bazuar në sundim të rendit dhe ligjit”, tha Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Por, mbetet e paqartë se kur mund të miratohet në Kuvendin e Kosovës ky projekt-buxhet, duke marrë për bazë bllokimin e seancave të Kuvendit të Kosovës nga opozita.

Opozita në Kosovë është zotuar se do të vazhdojë të bllokojë punimet në Kuvendin e Kosovës, nëse qeveria nuk e tërheqë nënshkrimin nga marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe dhe marrëveshjes më Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Në bazë të procedurave ligjore, fundi i tetorit është koha kur Qeveria duhet të miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal, kurse deri në fund të dhjetorit duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës

Në mungesë eventuale të buxhetit të miratuar, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, në tre muajt e parë, shpenzimet buxhetore mund të realizohen me 1/12 e buxhetit paraprak.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG