Ndërlidhjet

Kriza politike lë anash reformat në administratë


Ilustrim
Ilustrim

Kriza politike në Maqedoni ka lënë tërësisht anash reformat në administratën shtetërore, është theksuar në konferencën e organizuar në temë “Reformimi i administratës publike -angazhimet për qeverisje cilësore , transparente dhe efektive në shekullin e XXI”, në organizim të zyrës Fridrih Ebert në Shkup, Institutit për Demokraci Sociale dhe Qendrës së Maqedonisë për Arsim Evropian.

Bojan Mariçiq nga Qendra e Maqedonisë për Arsimim Evropian thotë se gjatë dhjetë viteve të fundit, numri i të punësuarve në administratën shtetërore është trefishuar, ndërkohë që hulumtimet nxjerrin në pah se qytetarët gjithnjë e më pak janë të kënaqur nga shërbimet administrative.

“Në një afat më të gjatë kohor apo një afat të mesëm si rrjedhojë e numrit të madh të të punësuarve në kurriz të buxhetit të shtetit, Maqedonisë mund t`i ndodh skenari i Greqisë, përkatësisht shteti të bankrotojë, sepse rrogat e të punësuarve në administratën shtetërore sigurohen kryesisht përmes marrjes së huave, gjegjësisht kredive që i merr qeveria nga bankat komerciale dhe bankat e ndryshme ndërkombëtare”, thekson Mariçiq

Nga ana tjetër, Argëtim Saliu, i përfshirë në projektet e sektorit civil që kanë të bëjnë me funksionimin e administratës publike, thotë se nuk mund të flitet për reforma cilësore, përderisa veprohet në kundërshtim të rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar për zvogëlimin e numrit të administratës publike.

“Sektori publik, i njohur si sektori shtetëror, është për punësimin e qytetarëve me theks të veçantë të të rinjve në Maqedoni për arsye të mungesës ngritjes së vetëdijes kolektive, si dhe mungesës së zhvillimit normal të sektorit të biznesit. Sektori shtetëror ofron siguri shumë më të madhe për të punësuarit kundrejt sektorit privat, strukturat politike, duke mos përfillur ngarkesat që i bëhen buxhetit të shtetit".

"Edhe përkundër faktit se Qeveria ka miratuar një strategji kombëtare gjatë vitit 1999/2006 për zvogëlimin e punonjësve në administratë, jemi dëshmitarë se kysëpaku është dyfishuar; madje në bazë të disa të dhënave nga sektori joqeveritarë siç u tha edhe sot ky numër është trefishuar”, thekson Argëtim Saliu.

Për Besa Kadriun ligjëruese në fakultetin e administratës Publike në UEJL në Tetovë, shqetësueseështë fakti se në Maqedoni funksionon një administratë e politizuar në atë masë që gjeneratave të reja nuk u lë hapësirë për të pasur motivacion të investojnë në dije dhe jo njohjet partiake për të siguruar një vend pune në administratë.

“Rrethanat aktuale dukshëm u bëjnë të qartë gjeneratave të reja se hapësira për të vepruar dhe njëherësh për t`u dëshmuar në aspektin profesional si punonjës në administratë është e kufizuar. Subjektet që qeverisin, përkatësisht aktorët e politikë-bërjes, duhet të gjejnë një zgjidhje për rekrutimin e kuadrove më të afta si punonjës administrativ".

"Nuk është qëllimi që të largohen nga puna, por gjithsesi është koha e fundit që të shkohet në sistematizimin dhe krijimin e kuadrove profesionale, të cilët do të zënë vendin e duhur në administratë, përkatësisht në vendet vakante do të vendosen personat të cilët kanë përgatitje profesionale adekuate dhe vetëm atëherë mund të themi se kemi një administratë të reformuar”, thekson Besa Kadriu.

Ndërkaq drejtoresha e Fondacionit për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe atyre të mesme, Svetllana Kirevska, konsideron se duhet të ndërtohet një sistem në bazë të të cilit, të gjithë ata administratorë të cilët kanë rezultate të shpërblehen dhe e kundërta, të pasojnë sanksione për ata administratorë të cilët nuk arrijnë t'i shërbejnë qytetarët konform detyrave të punës që u janë përcaktuar me ligj.

“Rroga mesatare në administratë është 22 mijë denarë (rreth 360 euro) që është rroga më e mirë që mund të sigurohet pas sektorit bankar dhe IT, pra punonjësit në administratë janë nga më të paguarit në shtet dhe nga ana e tjetër ata nuk janë nën presionin e përgjegjësisë për punën që bëjnë, do të thosha punën që nuk e kryejnë, por megjithatë për të paguhen".

"Këtë luks nuk e kanë as për së afërmi të punësuarit në sektorin privat, andaj duhet gjetur mekanizma që të sanksionohet papërgjegjësia dhe në këtë drejtim sa më parë duhet të bëhen ndryshime ligjore të cilat do të respektohen në praktikë”, ka theksuar Kirevska.

Ndryshe, në kuadër të konferencës së sotme ku janë shqyrtuar arritjet e Republikës së Maqedonisë, në përmbushjen e angazhimeve për sigurimin e shërbimeve cilësore administrative, edhe pse të ftuar, nuk ka marrë pjesë asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë.

Do theksuar se numri i madh i të punësuarve në administratën publike, përkatësia politike e cila merret përbazë gjatë punësimit në administratë si dhe mosefikasiteti, në vazhdimësi janë apostrofuar si vërejtje edhe në raportin e progresit përMaqedoninë nga ana e Komisionit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG