Ndërlidhjet

Mbi 38 mijë euro dënime për shkelje ligji


Ilustrim
Ilustrim

Prej kur Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në Kosovë, nga data 22 maj e vitit 2013, janë ngritur gjithsej 319 lëndë për shkelës të ligjit, në gjithë Kosovën.

Deri tani, për 126 lëndë është shqiptuar masa e vendimit dhe këto lëndë janë përfunduar, derisa 193 të tjerë janë në procedurë.

Kështu ka thënë Arben Lila, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), institucion ky që bën monitorimin e Ligjit për kontrollin e duhanit.

"Prej kur ka hyrë ligji në fuqi, kemi bërë monitorimin e tij, dhe vitin e parë nuk ka pasur shumë dënime të shqiptuara, pasi që në fillim është respektuar ligji në masë të mirë. Vitin e kaluar kur ka qenë zbrazëtira qeveritare prej 6 muajsh, është shfrytëzuar ky vakuum dhe është shkelur ligji".

"Ligji për kontrollin e duhanit parasheh gjobat mandatore me dënim prej 50 euro për personin fizik, për personin përgjegjës 500 euro, dhe për lokalin afarist 3 mijë euro", tha Lila.

Ndryshe, vetë kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në prill të këtij viti, se janë mbi 80 mijë lëndë në përgjithësi që presin shqyrtim dhe rrjedhimisht lëndët për shkelje të Ligjit për kontrollin e duhanit, nuk kanë qenë me prioritet.

Por, siç duket me uljen e temperaturave, Ligji për kontrollin e duhanit ka filluar të shkilet, andaj kryeinspektorati sanitar, ka bërë një marrëveshje me autoritetet e rendit dhe me gjykatat, që shkelësit e ligjit të marrin dënimin e merituar.

Si rrjedhojë, gjykatat i kanë dhënë prioritet shqyrtimit të lëndëve në këtë lëmi.

Murat Paçarada, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se lëndët për Ligjin për kontrollin e duhanit nuk janë lënë anash, dhe tashmë ka filluar shqyrtimi i tyre.

"Kur nxirret një ligj të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë. Te ne ekzekutimi është problem i madh. Gjykatat janë të ngarkuara me lëndë. Vetëm në vitin 2014, kemi pranuar 81 mijë lëndë në Gjykatën e Prishtinës, por megjithatë edhe lëndët për kontrollin e duhanit kanë filluar të shqyrtohen dhe iu është dhënë një prioritet, ndonëse për ne secila lëndë dhe secili ligj është i barabartë", theksoi Paçarada.

Ndryshe, inspektori sanitar, Durak Zyrapi, ka thënë se vitin e parë nuk janë shqiptuar gjoba, pasi që iu është dhënë vërejtje, ndërkohë që ata që kanë vazhduar ta shkelin Ligjin për kontrollin e duhanit, më pas janë gjobitur.

"Gjatë këtyre dy viteve jemi munduar të jemi të saktë në zbatim të këtij ligji. Nuk është qëllimi të dënohet një subjekt, por të respektohet ligji dhe të mbrohet shëndeti i popullatës. Ne si organ ekzekutiv, funksionojmë në dy nivele për atë qendror dhe komunal".

"Sa i përket aneksave, inspektorati sanitar është i obliguar t'i përgjigjet ankesave dhe ne ju kemi përgjigjur. Vitin e parë kemi dhënë vetëm vërejte, por me kalimin e kohës ata që nuk e kanë respektuar ligjin janë gjobitur", tha Zyrapi.

Sidoqoftë, udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla ka thënë se respektimi i Ligjit për kontrollin e duhanit është mënyra më e mirë e ruajtjes së shëndetit publik, duke i marrë parasysh siç thotë ai, anët negative që ka tymosja e duhanit.

"Organizata Botërore e Shëndetësisë është shumë e përkushtuar që të përkrahë institutcionet e Kosovës për zbatim të plotë të Ligjit për kontrollin e duhanit".

"Ligji për kontrollin e duhanit është ligji më i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik, pasi që dihen pasojat negative të tymit të duhanit në të gjitha stadet e jetës. Kostoja të cilën ne si qytetarë të Kosovës e paguajmë është rreth 100 milionë euro, dhe dhjetëra miliona të tjera shkojnë për shërimin e sëmundjeve që ka impakt tymosja e duhanit", u shpreh Syla.

Gjykatat me numër më të madh të lëndëve për duhanin, janë Gjykata Themelore e Prizrenit me 68 lëndë dhe Gjykata Themelore në Prishtinë me 55 lëndë.

Ndërkaq problemet e identifikuara që ulin efikasitetin e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit janë, mospërcjellja e lëndëve të dorëzuara në gjykatë nga inspektorati,kërkesat për hapjen e procedurës për kundërvajtje me prova të mangëta apo të pamjaftueshme, si dhe vështirësitë në sigurimin e prezencës fizike të të pandehurit në seancën gjyqësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG