Ndërlidhjet

Kameramania hungareze synon Rusinë


Petra Laszlo duke shqelmuar vajzën e re, 8 shtator 2015
Petra Laszlo duke shqelmuar vajzën e re, 8 shtator 2015

Kameramania hungareze e cila është përjashtuar nga puna pasi ishte xhiruar duke shqelmuar disa refugjatë, ka thënë se po e shqyrton mundësinë e transferimit në Rusi për të jetuar, pasi të ketë përfunduar gjykimi ndaj saj.

Petra Laszlo përballet me akuzat për huliganizëm, të cilat në Hungari janë të dënueshme deri në 3 vjetë heqje lirie. Por, zonja Laszlo, nënë e dy fëmijëve, ka cituar avokatin e saj të ketë thënë se ajo mund të dënohet me 18 muaj dënim të pezulluar.

Ajo është cituar nga mediat ruse të ketë thënë se pasi të kenë përfunduar procedurat gjyqësore, ajo dhe familja e saj synojnë ta braktisin Hungarinë.

“Jemi duke shqyrtuar Rusinë si opsion dhe mendojnë të nisim të mësojmë gjuhën ruse. Për ne është me rëndësi ta braktisim Hungarinë. Do të vendosim pas gjyqit”, ka thënë Laszlo për gazetën ruse Izvestia, e cila është e afërt me Kremlinin.

Veprimet e Laszlos janë dënuar globalisht pas postimit të një video xhirimi në internet, ku shihej teksa shqelmonte refugjatët, përfshirë këtu edhe një vajzë të re, ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga një kamp strehimi në Hungari.

Laslzo punonte për N1TV, një televizion lokal, i afërt me partinë e së djathtës ekstreme hungareze Yobbik.

Pas shpërthimit të skandalit, ajo u pushua nga puna.

Laszlo i ka thënë Isvestias se e ka shqelmuar fëmijën “për t’u vetëmbrojtur”.

“Refugjatët po vraponin në drejtimin tim – ishte e frikshme. Filluan të më shtynin. Kjo ishte arsyeja e vetme pse shqelmova njërin prej tyre, që të mos më shtynin më. Ishte reagim vetëmbrojtjeje".

"Nuk e kam parë që ishte fëmijë”, citohet të ketë thënë Laszlo, duke shprehur pendim për çfarë ka ndodhur.

Laszlo gjithashtu ka thënë se planifikon ta padis Facebookun, për, siç ka thënë, bllokimin e grupeve që ishin krijuar në mbështetje të saj, ndërkohë që grupet që, siç thotë, kanë bërë thirrje edhe për vdekjen e saj nuk kanë pasur kufizime.

Laszlo tha se synon ta padis edhe refugjatin të cilin e ka rrëzuar për toke derisa mbante fëmijën në duar, sepse ai “ka ndryshuar rrëfimin e ngjarjes”.

“Im shoq dëshiron ta dëshmojë pafajësinë time. Për të, kjo tani është çështje nderi”, ka thënë Laszlo për median ruse, Izvestia. [a.v.]

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG