Ndërlidhjet

Kuvendi mblidhet të enjten nën masa të rrepta sigurie


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish të enjten në një seancë që nga vet deputetët po paralajmërohet me përplot paqartësi dhe tensione.

Pas hedhjes së gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit gjatë seancës së kaluar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, tani Kryesia e Kuvendit ka vendosur masa të rrepta sigurie për të gjithë ata që hyjnë në kuvend, përfshi edhe kontrollin e detajuar të deputetëve dhe medieve të akredituara.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ka thënë se bllokada dhe pengesat e punës që po vijnë nga opozita kanë qëllime politike revolucionare, për të cilat ai ka thënë se nuk duhet lejuar që të realizohen përmes institucionit më të lartë ligjvënës.

“Ka qëllime të pastra politike, është luftë e pastër për pushtet. Qytetarët duhet të qëndrojnë jashtë këtyre skenarëve. Ne jemi duke u futur drejt krizës, drejt një qëllimi të qartë që përmes Kuvendit të fillohet lëvizja e madhe dhe Kuvendi të përdoret si shkas. Unë si kryetar i kuvendit do të luftoj deri në fund që mos të ndodhë që kuvendi të jetë një shkas i një revolucioni të fuqishëm”, ka thënë Veseli.

Sa i përket seancës së nesërme, Veseli ka pyetur deputetët e Kryesisë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës se çfarë i rekomandojnë të ndërmarrë nëse deputetët opozitarë sërish barrikadohen tek foltorja, fishkëllejnë dhe bllokojnë Kuvendin.

Ai i ka parashikuar dy mundësi si zgjidhje.

“Situata do të jetë po ashtu e njëjtë nesër. A dëshironi që t’i largoni 29 deputetë të opozitës edhe a dëshironi që të merrni vendim që të futen forcat e sigurisë nesër në Kuvend?”, u është drejtuar Veseli anëtarëve tjerë të Kryesisë.

Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti ka kërkuar nga Veseli që të zbatojë rregulloren e punës, e cila e parasheh që në rast se një a më shumë deputet pengojnë punimet e seancës, ata mund të nxirren edhe jashtë me anë të policisë.

“Puna a dëshironi po thoni ju, besoj është mënyrë e të folurit, por kjo s’është punë dëshire. Unë për vete ose ne po them, as nuk dëshiroj t'i duroj e as me t'i qes jashtë. S’është punë dëshire, është detyrim, detyrimi për të zbatuar rregulla dhe nuk është punë dëshire”, është shprehur Hamiti.

Me një propozim më ndryshe ka dalë nënkryetari tjetër i Kuvendit, por nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti i cili ka kërkuar nga Veseli që në rast të bllokadës, ai të shpallë pauzë dhe më pas kryesia të marrë vendim unik se si të veprohet, në mënyrë që vendimi të mos jetë vetëm i kryetarit të Kuvendit.

“As ju s’keni nevojë të merrni vendim pa kryesinë, sepse mundësitë në seancë janë që të ndërpritet seanca për pauzë nëse ka probleme dhe në pauzë mund të takohet kryetari me kryesinë edhe e merr vendimin”, ka deklaruar Haliti.

Partitë opozitare ndërkaq, kanë bojkotuar mbledhjen e kryesisë si edhe ato të komisioneve parlamentare.

Ato kanë paralajmëruar sërish se do të bllokojnë edhe punimet e seancës së nesërme.

Me këto veprime opozita thotë se do të vazhdojë përderisa kryeministri Isa Mustafa të mos i tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Këto kërkesa, nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës janë cilësuar të papranueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG