Ndërlidhjet

Nevojë për bashkëpunim shëndetësor


QKUK
QKUK

Evropianët e rinj, ishte epiteti që institucionet e Kosovës i kishin dhënë popullatës së shtetit më të ri në kontinent, me një mesatare që sillet në rreth, 29 vjeç.

Megjithatë, mosha nuk merret si një kriter sipas të cilit, në sistemin shëndetësor do ta vlerësonin edhe nivelin e shëndetit të evropianëve të rinj.

Zyrtarë shëndetësorë në Kosovë thonë se ende ka sëmundje, patologji të shumta, dhe këto sëmundje bëjnë që në Kosovë jetëgjatësia të jetë 10 vjet më pak,se në vendet e Bashkimit Evropian.

Për tu trajtuar patologjitë, nevojiten mjete të shumta, por edhe profesionistë shëndetësorë me përvojë të mjekësisë bashkëkohore, e që në të shumtën e rasteve Kosovës i mungon kuadri i tillë.

Andaj, për ngritjen e kapaciteteve është parë nevoja e bashkëpunimit mes Qendrave Klinike Evropiane e më gjerë, me institucionet shëndetësore publike në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se unifikimi i shkollimit bazik mjekësor apospecialistik, është nevojë e paevitueshme dhe është standard që duhet të arrihet.

Sipas tij, bashkëpunimet në fushën shëndetësore po vazhdojnë.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë po mundohemi që të vendosim bashkëpunime me shumë shtete, që të na ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, por edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”.

“Kemi bashkëpunime shumë të mira me Turqinë qe 5 vjet, ku dërgojmë pacientë tonë atje, por edhe bashkëpunim në fushën e edukimit tëvazhdueshëm të mjekëve kosovarë. Pastaj kemi bashkëpunim me disa spitale në Itali për trajtimin e fëmijëve për problem të leukemisë dhe probleme ardiokirurgjike”.

“Kemi bashkëpunime me individë, mjekë vullnetarë, dhe një organizatë holandeze që mbulojnë kimioterapinë dhe citostatikët për fëmijët tonë në klinikën e pediatrisë”, tha Rrahmani.

Së fundmi, vetëm në Klinikën e Kirurgjisë së fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë përfituar rreth 30 fëmijë, operacionet e të cilëve i kanë bërë ekspertë të huaj shëndetësorë.

Thuhet se vlera e atyre operacioneve ka qenë rreth 1 milion euro, por në Kosovë janë kryer pa pagesë.

Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se bashkëpunimet e tilla janë të mirëseardhura, por siç thotë ai, Ministria e Shëndetësisë, por edhe vetë Qeveria e Kosovës duhet të angazhohen që ky bashkëpunim të thellohet më shumë me shtetet e Bashkimit Evropian.

“Unë e inkurajoj këtë bashkëpunim, por duhet të jetë më I sinqertë ky bashkëpunim. Kur them më i sinqertë, e them në kuptimin e dyanshëm. Kur ekspertë që vijnë nga jashtë, të marrin edhe punëtorë shëndetësorë tonë dhe të shkojnë edhe ata jashtë vendit për arsye të avancimit në lëmitë që ne kemi mangësi”.

“Mendoj që Ministria e Shëndetësisë, por edhe Qeveria duhet të merren me këtë çështje që të kemi bashkëpunim me shtetet e Bashkimit Evropian, që përvojat e tyre t’i sjellim në Kosovë. Në këtë aspekt do të përfitonin pacientët, por edhe stafi në përgjithësi që do të merrte dituri më shumë”.

“Ne kemi mungesë në shumë fusha, pasi që shëndetësia botërore ka përparuar më shumë se që ne kemi ecur, dhe kemi mungesë në kardiokirurgji, kardiologji invazive, pediatri, neonatologji, onkologji”.

Sidoqoftë, ministri Rrahmani thotë se është inkurajuese edhe motivuese dëshira dhe vullneti i mjekëve kosovarë që janë duke specializuar në Evropë dhe botë, e që shprehin dëshirë të kontribuojnë në Kosovë, derisa nga Kosova kemi fluks të mjekëve që ikin jashtë shtetit.

Ndryshe, të martën Kosovën eka vizituar Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Siniša Varga, me qëllim të hulumtimit të mundësive të bashkëpunimit të edukimit të vazhdueshëm të mjekëve kosovarë atje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG