Ndërlidhjet

Mungesë e vullnetit politik për të luftuar ekonominë joformale


Ilustrim
Ilustrim

Ekonomia joformale në Kosovë, nga udhëheqësit e qeverisë dhe institucionet financiare ndërkombëtare, pranohet se është rreth 33 për qind.

Në profilin e tij në rrjetin social Facebook, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se përkthyer në shifra, kjo i bie që 400 deri në 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit nga arka e shtetit.

Për përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertët e ekonomisë ky evazion fiskal konsiderohet shqetësues, pasi kjo dëmton tregun e lirë në Kosovë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, ka thënë se përmasat e ekonomisë joligjore janë të larta, e kryesisht kjo lloj ekonomie është rritur gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pasi sipas tij, autoritet kompetente në agjendën e tyre kanë paraqitur prioritete tjera.

“Ekonomia joformale në Kosovë nga viti në vit është duke u rritur, dhe kjo për arsye se institucionet shtetërore, vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti, u ka marr shumë kohë konsolidimi i tyre por edhe bisedimet më Serbinë. Kështu ekonomia joligjore dhe zhvillimi ekonomik kanë mbetur anash. Dhe kjo ka bërë që të ngec zhvillimi formal i Kosovës”, thekson Shahini.

Edhe Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka thënë se përqindja e ekonomisë joformale është shqetësuese.

Ai thotë se përveç dëmeve që i sjell buxhetit, evazioni fiskal çrregullon tregun normal në Kosovë.

“Me qenë se këtu kemi të bëjmë me dy miliardë euro qarkullime që zhvillohen në rrugë joformale. Kjo jo vetëm që sjell dëme të drejtpërdrejta për buxhetin e shtetit, por krijon çrregullime shumë të mëdha në treg. Pasi prishet konkurrenca e drejtë, prishen ligjet e ofertës dhe kërkesës, dhe në fund pësojnë edhe konsumatorët”, thotë Rexhepi.

Rexhepi, ndërkaq konsideron se për parandalimin e kësaj dukurie në Kosovë nuk mungojnë ligjet dhe as mekanizmat, por mungon vullneti politik dhe këmbëngulësia e tyre që t'i shpallin luftë ekonomisë jo ligjore.

“Kosovës i mungon veprimi, vullneti politik që vërtetë me seriozitet, këmbëngulësi e konsekuencë të përballet me ekonomi joligjore. Më qënëse informaliteti nuk është vetëm kontrabanda e mallrave që bëhet në kufi, por ekonomi joformale ka edhe në mes të Prishtinës dhe në gjithë Kosovën”, thekson Rexhepi.

Por, kryeministri i Republikës se Kosovës, Isa Mustafa në profilin e tij Facebook, ka shkruar se edhe në praktikë ka filluar beteja e pakompromis kundër evazionit fiskal, me ata që dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe prishin balancat e ekonomisë së tregut të lirë, nëpërmes ekonomisë informale.

Edhe pse kjo këmbëngulësi, ka thënë kryeministri Mustafa, po has në rezistencë nga grupet e interesit, institucionet janë këmbëngulëse që përmes rregullit fiskal, të ketë më shumë buxhet për të investuar në të ardhmen.

Por, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, nuk shpreson se kjo dukuri mund të parandalohet, por sipas tij ekzistojnë mundësitë për rritje.

Vendimi i fundit i qeverisë për ndryshimin e normave të akcizës në duhan, mjete piroteknike, kazinotë dhe lojërat e fatit, sipas tij, mund të keqpërdoret nga njerëzit e pandërgjegjshëm.

“Kjo do të joshë më shumë njerëzit e papërgjegjshëm që të punojnë dhe veprojnë në forma joligjore, sidomos në pjesën e veriut të Kosovës. E cila që disa vite sipas një marrëveshje kanë të drejtë që deri një 3,500 kilogramë produkte të ndryshme, të fusin në Kosovë pa nënshtrimin e taksave. Dhe ka rrugë alternative, e që gjithë kjo e rritë informalitetin dhe këto produkte përfundojnë në jug të Kosovës”, tha Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vite që ka vendosur në prioritetet e politikave të saj, parandalimin e ekonomisë joformale.

Në këtë kuadër ështëthemeluar edhe Task-Forca e përbërë nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, që kishte për qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG