Ndërlidhjet

Çollaku: Jam i bindur se më 2016 do të ketë liberalizim vizash


Bekim Çollaku
Bekim Çollaku

Ministri për Integrime Evropiane i Kosovës, Bekim Çollaku, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, është shprehur se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit shumë shpejt do të aprovohet nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian. Ai ka shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës, vitin tjetër do të lëvizin lirshëm në zonën e Shengenit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, javën tjetër është paralajmëruar mundësia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. A mund ta konfirmoni një njoftim të këtillë?

Bekim Çollaku: Unë me kënaqësi mund të them se procedurat e brendshme, brenda Bashkimit Evropian, tashmë janë shterur dhe janë krijuar të gjitha kushtet, që një marrëveshje e tillë të aprovohet shumë shpejt nga ana e Këshillit të BE-së.

Ne jemi në tituj të mirë të këtij lajmi për Kosovën dhe në momentin që do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë edhe ne do t’i fillojmë procedurat e mëvonshme, për procedim të mëtutjeshëm të kësaj marrëveshje, duke e miratuar fillimisht në Qeveri dhe pastaj duke e kaluar për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Në raport me procesin e liberalizimit të vizave, ju keni shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës do të qarkullojnë lirshëm në zonën Schengen që nga viti i ardhshëm. Por, gjykuar nga zhvillimet aktuale në Kosovë, sa se mendoni një gjë e tillë është reale?

Bekim Çollaku: Zhvillimet aktuale, nëse po u referoheni zhvillimeve që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës, nuk mund ta rrezikojnë procesin e liberalizimit të vizave, sepse ky është tërësisht një proces i ndarë dhe atë i karakterit teknik. Kriteret teknike ne i kemi përmbushur dhe me të drejtë, presim nga Komisioni Evropian që të japë rekomandim pozitiv, për liberalizim të vizave.

Unë e kam thënë se qytetarët e Kosovës, do të lëvizin lirshëm gjatë zonës së Schengen-it, vitin tjetër, sepse ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara në udhërrëfyes dhe nuk ekziston asnjë lloj pengese politike apo teknike, që një gjë e tillë të mos i mundësohet Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prandaj, jam i bindur që një gjë e tillë do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Këtë muaj, gjithashtu, pritet të dalë edhe Raporti i progresit i Komisionit Evropian. Çfarë prisni konkretisht?

Bekim Çollaku: Si gjithmonë. Si gjatë viteve të kaluara. Raporti i progresit i BE-së, që më nuk quhet Raport i progresit, por quhet Raport vjetor i vendeve, në këtë rast i Kosovës, pritet të përmbajë një pasqyrë të qartë të të gjitha reformave që janë ndërmarrë, gjatë këtij viti. Ajo në vete do të përmbajë sukseset, gjatë këtij viti, por edhe do t’i adresojë në mënyrë të veçantë edhe sfidat, ngecjet dhe normalisht si gjithnjë, do të ketë edhe rekomandime përkatëse se si Kosova duhet të ecë më tutje, në ndërmarrjen e reformave, të cilat shpien drejt përafrimit me integrimin evropian.

Pra, presim që raporti të jetë real, ta përshkruaj ashtu siç është, ta përshkruaj gjendjen faktike, të flasë për progresin e arritur, të adresojë ngecjet në fusha të caktuara dhe të japë rekomandimet, të cilat ne si gjithmonë do t’i adresojmë me një plan veprimi, brenda Qeverisë dhe në mënyrë që raporti i vitit të ardhshëm, të jetë raporti i një cilësie më të mirë për Kosovën.​

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, zoti ministër, sfidat në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë mbase vetëm disa çështje për të cilat shumë faktorë pajtohen se nuk kanë pësuar shumë ndryshime...

Bekim Çollaku: Kjo që thoni ju është e vërtetë, por unë nuk mund të pajtohem me faktin se nuk është bërë progres i madh edhe në këtë fushë. Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat, kanë dëshmuar se kanë vullnet dhe guxim, për t’u ballafaquar edhe me raste të ndjeshme, për t’i marrë mbi vete obligimet që ju takojnë, bazuar në ligjet e Kosovës.

Unë jam i sigurt se në të ardhmen e afërt, do të ketë veprime edhe më konkrete, sidomos në luftimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Jam i sigurt se Kosova do të dijë të dëshmojë se ka të ardhme evropiane, se di të ndërtojë institucione të fuqishme edhe në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Kosova do të dëshmojë se është e gatshme të dijë të ecë përpara, pa pasur nevojë që gjithmonë bashkësia ndërkombëtare të merret me ato çështje të ndjeshme, siç është rasti aktual, kur ende një pjesë të kompetencave ekzekutive, në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit i ka misioni i EULEX-it. Në vitin e ardhshëm do të diskutojmë se a do të ketë nevojë edhe më tutje për një mision të BE-së.

Nëse ne duam që t’i marrim përgjegjësitë, të cilat na takojnë me Kushtetutë dhe ligje, atëherë duhet të dëshmojmë se jemi të aftë dhe të tregojmë suksese edhe në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Nga Qeveria e Kosovës, në asnjë moment nuk do të mungojë përkrahja, për plotësimin e nevojave dhe krijimin e kushteve adekuate, për gjykatësit dhe prokurorët e Republikës së Kosovës .

Radio Evropa e Lirë: Në nivelin e përgjithshëm të integrimeve evropiane, si mendoni se do të ndikojë bllokada që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës nga forcat politike në opozitë, në këtë rrafsh?

Bekim Çollaku: Kjo çfarë po ndodh në Kuvendin e Kosovës, është për të ardhur keq dhe është krejtësisht e papranueshme. Është metodë krejtësisht anti- demokratike, e standardeve anti-evropiane dhe më së paku i shërben interesit nacional të Republikës së Kosovës.

Unë shpresoj që kjo sjellje dhe kjo bllokadë, do të marrë fund sa më shpejt dhe se partitë opozitare, në vend të metodave të dhunës, do t’i zëvendësojnë ato me metoda demokratike dhe do ta kryejnë funksionin, për të cilin ata janë zgjedhur nga qytetarët e Kosovës. Askush në Kosovë nuk e ka luksin se në rrethana çfarë jemi, ta bllokojmë funksionimin normal të shtetit tonë dhe për të keq të tërheqim vëmendjen e opinion ndërkombëtar.

Intervistoi: Berianë Mustafa

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG