Ndërlidhjet

Strategjia e Putinit në Siri: E zgjuar apo shkatërruese?!


Bombardimet ruse në Siri, 5 tetor 2015.
Bombardimet ruse në Siri, 5 tetor 2015.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, qysh më 30 qershor ka dërguar avionë luftarakë në Siri, gjoja për të bombarduar caqet e militantëve të Shtetit Islamik (IS).

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe aktivistë sirianë thonë se objektivë e sulmeve ruse nuk është Shteti Islamik, por kundërshtarët e tjerë të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Por, Moska është duke vazhduar planin e saj për t’i dhënë fund luftës civile, pavarësisht kundërshtimeve të Perëndimit.

Plan i Rusisë duket të jetë forcimi i aleatit të saj, Assadit, duke argumentuar se vetëm ai ka forcën ushtarake në Siri për të rrokullisur Shtetin Islamik. Dhe, forcimi i Assadit nënkupton sulme kundër grupeve të moderuara që luftojnë regjimin dhe radhiten në një vijë me Perëndimin.

Pyetja për shumë vëzhgues tani është nëse ky hap i guximshëm i Putinit do të ketë sukses?! Disa ekspertë të politikës së jashtme thonë se po.

Vali Nasr, nga Universiteti "Johns Hopkins" në SHBA, thotë se Rusia është në pozitë më të mirë sesa Perëndimi për të zgjidhur krizën në Siri.

“Shtetet e Bashkuara, që nga fillimi, kanë ngurruar të përfshihen në shpartallimin sirian. Mbështetja e tyre për opozitën e Assadit ka qenë joefektive, ashtu si edhe përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike”, ka thënë Nasr në një koment për revistën Politico.

Ai ka shtuar se Rusia, në anën tjetër, ka armatosur ushtrinë e Assadit dhe tani ka marrë përgjegjësinë për të mbrojtur regjimin.

Është e qartë për të gjitha palët se çelësi i zgjidhjes së konfliktit është Moska”, ka thënë Nasr.

Daniel Drezner, profesor i politikave ndërkombëtare në Universitetin Tufys në SHBA, po ashtu e sheh Moskën si lojtarin më të fuqishëm të huaj në Siri.

Arsyeja përse Rusia është duke bërë atë që po bën, është sepse aleati i saj lokal në Siri – Qeveria e Assadit – ekziston vërtet. Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar një grup të moderuar të rezistencës kanë dështuar”, ka thënë Drezner për gazetën Washington Post.

Megjithatë, ai ka shtuar se është ende herët të gjykohet nëse Putin do të jetë në gjendje të vendosë rregull në Siri.

“Fuqitë e mëdha gjithmonë duken më të fuqishme kur shpallin aktivitete të zgjeruara në rajon. Por, është e rëndësishme ajo që pason”, ka thënë Drezner.

Është pikërisht çështja e asaj që pason, e cila bën disa vëzhgues të besojnë se Putin po bën gabim fatal në përshkallëzimin e mbështetjes së tij për Assadin.

Melik Kaylan, gazetar dhe komentator politik, me seli në SHBA, thotë se Putin ka hyrë në një aventurë shkatërruese.

“Ju mund të argumentoni se ndërhyrja ruse do të forcojë ushtritë e lodhura shiite, iraniane, irakiane, Assadiste dhe ato do të luftojnë kundër xhihadistëve sunitë. Por, kjo do të ishte një llogaritje e gabuar”, ka shkruar Kaylan në revistën Forbes.

“Evropa dhe Amerika, papritur, do të pushojnë së qenuri armiqtë kryesorë të xhihadistëve sunitë. Historia do të kthehet në vitet 1980, kur termi xhihad ka qëndruar për luftën kundër Rusisë në Afganistan. Historia po sillet në Siri”, ka thënë gazetari Kaylan.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG