Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të cilat partitë politike po diskutojnë tash e tri javë, nuk do t’i zgjidhin të gjitha çështjet kontestuese për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike dhe ish-drejtuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Ata thonë se ndryshimet që duhet të miratohen nga Kuvendi, siç janë pastrimi i listës zgjedhore, regjistrimi i votuesve, modeli zgjedhor, roli i KSHZ-së, e të tjera, do të zgjidhin vetëm disa nga problemet, me të cilat vendi është përballur në ciklet e fundit zgjedhore.
“Do të zgjidhen disa probleme të caktuara, por jo të gjitha. Sa i përket frikësimit të votuesve, Kodi Zgjedhor nuk do të sjellë asgjë të re. Për këtë vlerësoj se duhet të krijohet një klimë e përgjithshme që votuesit të ndihen të lirë dhe pa ngarkesa në realizimin e së drejtës të garantuar me Kushtetutë”.
“Sa i përket përzierjes së shtetit dhe të partive në procesin zgjedhor, ky problem mund të zgjidhet vetëm se pjesërisht. Kjo varet nga partitë dhe sjellja e tyre gjatë procesit të harmonizimit të qëndrimeve“, thotë Aleksandar Novakovski, ish-kryetar i KSHZ-së.
Sipas tij, mbarëvajtja e procesit zgjedhor varet para, së gjithash nga vullneti i partive politike.
“Pa marrë parasysh se për çfarë procesi zgjedhor bëhet fjalë, apo se në cilin vend të botës mbahen ato, me rëndësi thelbësore është vullneti i partive politike. Qytetarët në të gjitha proceset zgjedhore, në veçanti në këto të fundit, në mënyrë shumë korrekte dhe me ndërgjegje të lartë e kanë kryer obligimin e tyre. Por, krijimi i ambientit, mbarëvajtja e procesit zgjedhor është përgjegjësi e shtetit dhe e faktorëve tjerë, përfshirë këtu partitë politike“, thekson Novakovski.
Ai shton se Maqedonia ka kapacitete për organizim të zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe nuk duhet të lejojë që faktori i jashtëm të imponojë zgjidhje jo vetëm për Kodin Zgjedhor, por edhe për konteste tjera.
Novakovski thotë se ndërkombëtarët punën e vetme që duhet të bëjnë është mbikëqyrja e procesit zgjedhor, por, kjo sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse partitë tregojnë kapacitete shtetërore dhe tejkalojnë veten duke lënë anash interesat personale dhe ato partiake.
Duke komentuar debatin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Mersim Maksuti, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin Shtetëror të Tetovës thotë:
“Kësaj radhe duket se reformat do të jenë më thelbësore, më domethënëse. Maqedonia duhet që reformat dhe procesin zgjedhor ta shtrijë në radhë të parë në drejtim të pastrimit të listës zgjedhore nga votuesit fiktivë. Përfaqësimi në Kuvend vlerësoj se do të ishte më demokratik nëse kemi një njësi zgjedhore me një census elektoral prej 3 për qind”.
Profesor Maksuti përmend edhe nevojën e reformës së KSHZ-së me një përbërje prej ekspertëve dhe jo anëtarëve të partive politike.
Megjithatë, ai vlerëson se periudha e kaluar ka dëshmuar se te partitë kanë dominuar interesat personale dhe të grupeve të caktuara, por jo edhe të qytetarëve.
Prandaj, sipas tij, është koha e fundit që ato të ndërgjegjësohen dhe të heqin dorë nga dhunimi i së drejtës më elementare të qytetarëve, siç është votimi i lirë, e drejtë kjo e garantuar dhe me Kushtetutë.
Maksuti beson se kjo mund të arrihet vetëm me një ndërhyrje më të fuqishme nga jashtë.
“Mungesa e vullnetit politik ka qenë problemi kryesor i zbatimit zgjedhjeve demokratike në Maqedoni, mirëpo tani situata vlerësoj se ka ndryshuar pasi kemi një marrëveshje të re politike me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe shpresat mbeten tek ata që kanë marrë përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e plotë të marrëveshjes për sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, më 24 prill të vitit të ardhshëm”, thekson Maksuti.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhej të miratoheshin deri më 6 tetor, afat ky i vendosur nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, por një gjë e tillë nuk është arritur për shkak të dallimeve të mëdha mes partive politike.