Ndërlidhjet

Jazidët akuzojnë militantët e IS-it për gjenocid


Një djalë nga rupi minoritar Jazidi, Irak, foto nga arkivi
Një djalë nga rupi minoritar Jazidi, Irak, foto nga arkivi

Grupi minoritar, Jazidi në Irak, që në veçanti ishte cak i trajtimit brutal nga ana e militantëve të Shtetit Islamik (IS), mbrëmë ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë, që të zhvillojë hetime kundër këtij grupi ekstremist islamik, për kryerje të krimit të gjenocidit dhe skllavërisë seksuale.

Dy grupe të minoritetit Jazidi, me mbështetje të Qeverisë rajonale kurde në Irak, e kanë paraqitur një raport në këtë gjykatë me seli në Hagë, ku dokumentohet pretendimi i tyre se militantët e IS-it “në mënyrë sistematike kanë kryer mizori, që paraqesin gjenocid dhe se këto krime janë brenda juridiksionit të ICC-së”, tha Murad Ismael, nga organizata për të drejtat e jazidëve, Jazda.

Në këto dyshime përfshihen ekzekutimet masive të më se 700 meshkujve jazidi, vrasja e të sëmurëve dhe pleqve, dhunimi dhe skllavërimi i mijëra femrave, dhe rrëmbimi i fëmijëve të tyre, të cilët janë detyruar ta pranojnë fenë islame dhe të luftojnë për grupin militant, Shteti Islamik.

IS-i në mënyrë të hapur ka thënë se dëshiron ta eliminojë besimin Jazidi, të cilin e konsideron si pagan.

Jazidët besojnë në një Zot dhe teologjia e tyre kryesisht buron nga traditat e lashta fetare iraniane, e jo nga tekstet kanonike hebreje, të krishtera apo myslimane.

Më herët këtë vit, kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Fatou Bensouda, tha se IS-i ka kryer “mizori të papërshkrueshme”, përfshirë ekzekutime masive, dhunime dhe tortura.

Por, ajo tha se nuk do të zhvillonte hetime, meqë as Iraku e as Siria, nuk janë anëtare të ICC-së.

Në raportin e grupeve jazide, jepen emrat e 20 luftëtarëve të jashtëm të IS-it, nga vendet që janë nënshkruese të themelimit të Statusit të Romës së ICC-së. Sipas raportit, janë prej 5 e deri në 7 mijë luftëtarë të tillë të jashtëm, në radhët e militantëve të Shtetit Islamik.

Kryeprokuroja Bensouda ka thënë në muajin prill se gjykata në mënyrë teorike mund të ushtroj “juridiksion personal” ndaj individëve nga shtetet anëtare të ICC-së, që i janë bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Rekrutët e jashtëm “janë pjesë e rëndësishme e Shtetit Islamik”, tha Murad Ismael, dhe ka shtuar se “ata janë përgjegjës për udhëheqjen e mediave, për financim, ata janë përgjegjës për trajnim, dhe ajo që është më e rëndësishmja, pjesëtarët e jashtëm, që ne ishim në gjendje t’i identifikojmë, ishin përgjegjës për tregti seksuale të femrave dhe vajzave jazidi, disa prej tyre edhe vetëm 6 vjeçare”.

Në gusht të vitit 2014, militantët në mënyrë të papritur e okupuan dhe e morën kontrollin ndaj hapësirave të gjëra në pjesën veriore të Irakut, që ishin nën kontrollin e kurdëve, dhe aty ishin vendbanimet e jazidëve dhe pjesëtarëve të minoriteteve të tjera.

Jazidët, që flasin në gjuhën kurde, ishin masakruar dhe rrëmbyer në mënyrë masive, kur IS-i kishte hyrë në territorin malor Sinxhar, ku ka jetuar shumica prej tyre.

Dhjetëra mijëra, gjatë panikut, ishin ngjitur në majat e malit Sinxhar dhe kishin mbetur atje të bllokuar për ditë të tëra, pa ujë dhe ushqim.

“Është e neveritshme që krimet e tilla mund të bëhet kundër civilëve të pafajshëm çdokund në botë”, thekson Ismael, duke përkujtuar se “komuniteti jazidi ishte shkatërruar nga krimet e sëmura të terroristëve të ISIS-it, që synonin asgjësim të jazidëve, për shkak të veçanërisë së tyre religjioze”, thotë Murad Ismael.

Jazidët vlerësojnë se afro 3 mijë vetë, përfshirë fëmijë dhe të rritur, janë vrarë, megjithëqë numri i saktë nuk është i qartë.

Organizata për të drejtat e jazidëve, Jazda, tha se tashmë janë gjetur 12 varreza masive në hapësirën e malit Sinxhar.

Jazda, po ashtu, vlerëson se më se 5,200 njerëz ishin zënë gjatë sulmeve në gusht të vitit 2014, ndërsa afro 1,900 arritën të largohen. Të tjerët ende mbahen të burgosur.

Afro 400 mijë njerëz, 80% e popullatës jazidi, tash janë të zhvendosur dhe jetojnë në kampe në Kurdistanin e Irakut.

Murad Ismael tha se “beson se atëherë kur gjykata t’i lexoj këto detaje” të raportit, do të vendos juridiksion ndaj këtij rasti.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG