Ndërlidhjet

Ngasësit dhe rrugët, shkaktarë të aksidenteve fatale


Policia e Kosovë, foto nga arkivi
Policia e Kosovë, foto nga arkivi

Një person ka vdekur në një aksident trafiku që ka ndodhur të hënën në orët e hershme të mëngjesit, kurse në orët e mbrëmjes të së dielës 11 persona janë lënduar në një stacion në kryeqytet, duke pritur autobusin e trafikut urban, kur një veturë i ka goditur, bëjnë të ditur zyrtarë policor.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës thotë se vetëm nga muaji janar deri në gusht të këtij viti, në Kosovë, kanë ndodhur mbi 11.500 aksidente, nga të cilat 68 persona kanë humbur jetën.

“Në bazë të statistikave lidhur me aksidentet fatale, në periudhën e njëjtë nga janari deri në muajin gusht të vitit 2014 kemi 89 persona të vdekur në aksidente të komunikacionit rrugor. Ndërsa në periudhën e njëjtë të këtij viti kemi 68 persona të vdekur. Edhe pse ky numër për 21 është më i vogël, por prapë se prapë është shqetësues”, bën të ditur Hoxha.

Sipas autoriteteve të rendit, shkak i aksidenteve, kryesisht ka qenë mosrespektimi i rregullave të trafikut nga vozitësit e automjeteve.

Edhe ekspertët e çështjeve të komunikacionit theksojnë se përveç faktorit njeri, ndikim të dukshëm në aksidente ka edhe infrastruktura rrugore.

Mevlan Bixhaku, profesor në departamentin e Komunikacionit në Fakultetin e Inxhinerisë Mekanike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, shprehet se përveç papërgjegjësisë së drejtuesve të automjeteve, në zonat urbane në Kosovë mungojnë sipërfaqet adekuate për lëvizjen e këmbësorëve.

“Faktori njeri pothuajse është faktori kryesor, pasi me sjelljet e tij, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë në vende jo adekuate, mospërshtatjen e shpejtësisë dhe rrethanave që ndikohen në rrugë, ka bërë që drejtuesit e automjeteve të jenë shkaktarët kryesorë të aksidenteve".

"Mirëpo kur flasim për kushtet tona, sidomos në vendet urbane, paraqitet edhe faktori rrugë.Është shumë brengosëse, sidomos kohëve të fundit, goditja e këmbësorëve nga automjetet; mungojnë sipërfaqet adekuate për lëvizjen e këmbësorëve dhe si rrjedhojë, këmbësorët i ekspozohen në vazhdimësi rrezikut direkt në rrugë", thekson Bixhaku.

Profesori Bixhaku, konsideron se edhe auto-shkollat që veprojnë në Kosovë duhet të kenë kritere më të ashpra përtu pajisur më leje vozitjeje.

"Aftësimit të drejtuesve të automjeteve duhet t'i kushtohet rëndësi shumë të madhe, duke marrë parasysh se në shumicën e rasteve, mosha e re shkakton më tepër aksidente. Fokusi duhet të jetë që ata [drejtuesit e rinj] paraprakisht të marrin njohuritë e mjaftueshme dhe kriteri të jetë mjaft i lartë që ata të jenë të aftë për lëvizjet në rrugë”, shprehet Bixhaku.

Në anën tjetër, Daut Hoxha thotë se Policia e Kosovës me njësitë relevante të saj rregullisht ka ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor.

Policia e Kosovës në mënyrë konsistente, thotë ai, ka zhvilluar plane operative policore, dhe janë ndërmarr masa ligjore aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me ligjin mbi sigurinë dhe komunikacionin rrugor.

“Edhe njëherë inkurajojmë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë më vigjilentë dhe të kontribuojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë, sepse me gjithë përpjekjet dhe masat e ndërmarra, pasojat që po shkaktohen nga aksidentet janë shqetësuese", shprehet Hoxha.

Gjobat për pjesëmarrësit në komunikacion të cilët nuk iu përmbahen kufizimeve, ndalimeve dhe obligimeve të shprehura përmes shenjave dënohen me 35 euro.

Gjobat, sipas Ligjit për sigurinë në komunikacion në Kosovë mund të jenë edhe më të larta, varësisht nga shkeljet që bëjnë pjesëmarrësit në komunikacion.

Vetëm nga janari e deri në gusht të këtij viti Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 20 mijë gjoba në trafik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG