Ndërlidhjet

Komisioni anketues për përgjimet, i padobishëm


Shkup
Shkup

Komisioni anketues për përgjimet, i paraparë të themelohet me marrëveshjen mes partive për zgjidhjen e krizës politike, është humbje kohe dhe asgjë më shumë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, të cilët më parë kanë qenë pjesë e komisioneve të tilla.

Ata thonë se komisione të ngjashme janë ngritur edhe më parë për çështje tjera, por ato asnjëherë nuk kanë dalë me ndonjë konkluzion, apo rekomandimet që mund të jenë dhënë kanë qenë të atilla që të mos prodhojnë asnjë efekt për problemin konkret.

Stojan Andov, thotë se është i palogjikshëm formimi i një komisioni hetimor parlamentar në kohën kur aferën e përgjimeve do ta hetojë prokurori special.

“Përgjegjësia politike e personave të përfshirë në aferën e përgjimeve vlerësoj se duhet të shqyrtohet vetëm pasi çështja të jetë hetuar nga prokurori publik, apo pasi të ketë përfunduar procesi gjyqësor".

"Vetëm më pas mund të bisedohet për ndonjë përgjegjësi që do të duhej ta konstatonte komisioni anketues, por vetëm për ata persona që nuk janë ndjekur penalisht e që në forma të ndryshme mund të kenë ndihmuar apo të kenë pasur dijeni për shkeljet e bëra“, thotë Andov, duke shprehur pesimizmin nëse edhe për këto raste do të ketë ndonjë epilog nga komisioni në fjalë.

“Komisionet anketuese deri më tani nuk kanë dhënë rezultate, prandaj nuk besoj se edhe tani mund të kenë. Diçka e tillë mund të pritet, por e gjitha do të varet nga puna e prokurorit special“, thotë Andov.

Partitë politike në Maqedoni, disa herë janë takuar për formimin e komisionit, por për shkak të dallimeve rreth punës së tij, ato nuk janë marrë vesh, përkundër ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar.

Opozita kërkon që komisioni në përfundim të hetimit të konstatojë përgjegjësi politike për bartësit e funksioneve publike që kanë lidhshmëri me përmbajtjen e bisedave të përgjuara telefonike.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, kërkojnë që komisioni të sjellë vetëm konkluzione dhe rekomandime për përmirësimin e sistemit të sigurisë si dhe të evidentojë shkeljet eventuale të të drejtave të njeriut.

Duke marrë parasysh qëndrimet e tilla, por edhe punën e komisioneve në të kaluarën, Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike thotë se edhe puna e këtij komisioni është e destinuar të dështojë.

“Në kohën kur prokurori special është në fuqi dhe do të fillojë punën e vet, si duket ky komision nuk do të ketë ndonjë funksion apo ndonjë peshë për shkak se bëhet edhe duplifikimi i punëve apo ndoshta edhe ngadalësohet i gjithë procesi pasi puna e këtyre komisioneve nga eksperienca gjithmonë janë zvarritur dhe asnjëherë nuk kanë dhënë rezultat".

"Është një lojë e demokracisë që Kuvendi ‘ti përziej gishtat edhe të jap vlerësimin e vendim për diçka që nuk ka kuptim“, thotë Demiri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG