Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, i ka bërë thirrje partive politike që tani pas arritjes së marrëveshjes për prokurorin special, të angazhohen për përmbushjen e detyrimeve tjera nga marrëveshja politike, para se gjithash për reformën zgjedhore.
Në një fjalim në komisionin parlamentar për euro-integrime, Hahn përshëndeti marrëveshjen e arritur për prokurorin special dhe emërimin në këtë post të Katica Janevës ndërsa kërkoi nga partitë që të krijojnë kushte për hetimin e pavarur të aferën së përgjimeve, që do të jetë edhe detyra parësore e prokurores Janeva.
Komisioneri Hahn, tha se zbatimi i marrëveshjes politike, përfshirë këtu edhe punën e prokurores, do të jenë vendimtare në vlerësimin që do të përmbaj raporti i progresit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë.
“Marrëveshja politike që u nënshkrua me ndihmën tonë është një hap me rëndësi për vendin. Me rëndësi është që liderët politik interesat shtetërore i vendosëm mbi ato partiake. Përshëndes kthimin e opozitës në Kuvend si dhe votimin për ligjin e prokurorit special“, tha komisioneri Hahn.
Ai ka shprehur besimin se marrëveshja politike do t'i hapë rrugën vazhdimit të dialogut të nivelit të lartë mes Komisionit Evropian dhe Maqedonisë.
“Pranoj faktin se vendi juaj ka zbatuar një numër të marr të reformave ndërsa ato që kanë mbetur janë ambicioze dhe politikisht të vështira, por ato do të sjellin ndryshime të vërteta në shtet".
"Në raport me sundimin e së drejtës shpreh brengosjen time për shkak të presioneve ndaj gjyqësisë. Gjithashtu duhet të ndryshohet edhe klima në media. Gazetarët duhet të lihen të bëjnë punën e tyre, pra të mos ketë presione ndaj tyre“, ka deklaruar komisioneri Hahn.
Kryetarja e Komisionit për euro-integrime, Lidija Dimova tha se vendin e pret edhe shumë punë në përmbushjen e reformave të kërkuara.
“Ne gjatë periudhës së kaluar kishin punë shumë të vështira, por periudhën që vjen na presin sfida edhe më të mëdha, duhet të formojmë komisionin anketues, pastaj të miratojmë ndryshimet në kodin zgjedhor, të pastrojmë listën zgjedhore ndërsa duhet të punojmë edhe në çështjen e pavarësisë së mediave që e përmendi edhe komisioneri Han”, deklaroi Dimova.
Anëtari i komisionit parlamentar për eurointegrime nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, shprehu bindjen se Maqedonia, jo vetëm që do të ruajë rekomandimin, por edhe do të marr datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Mos anëtarësimi i Maqedonisë në fazën e ardhshme do të nënkuptonte vetëm se përkeqësim plotësues të gjendjes dhe nxitje të nervozes e cila edhe ashtu ekziston në shoqërinë tonë. Një nervozizëm i tillë me kohën do të nxisë frustrime të cilat më pas shkaktuan probleme të shumta politike dhe shoqërore“, tha Dimovski.
Ndryshe, gjatë vizitës në Shkup, zoti Hahn ka takuar liderët e partive kryesore politike dhe drejtuesit e institucioneve ndërsa ka marrë pjesë edhe në dialogun e nivelit të lartë që mbahet rregullisht mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Maqedonisë.
Hahn së bashku me përfaqësues të lartë të SHBA-së, ishin të përfshirë në bisedimet direkte mes partive për arritjen e marrëveshjes politike për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë politike.