Ndërlidhjet

Peticion kundër Asociacionit dhe demarkacionit me Malin e Zi


Peticioni i opozitës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Peticioni i opozitës

Partitë opozitare në Kosovë kanë nisur peticionin i cili synon mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve kundër marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Peticioni ka nisur të nënshkruhet fillimisht në Prishtinë, ku firmat e tyre i vendosën liderët opozitar, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetari i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë me këtë rast se ky peticion është i rëndësishëm ngaqë përmes tij, shprehet kundërshtimi i marrëveshjeve që Qeveria e Kosovës i arriti me atë të Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.

"U bëjmë ftesë të gjithë akterëve politik, të gjithë zërave kundërshtarë dhe të gjithë qytetarëve që mendojnë që këto marrëveshje janë të dëmshme për vendin dhe që i shohin këto marrëveshje si të papranueshme për vendin, që të bëhen pjesë e këtij peticioni si një formë jashtëzakonisht e rëndësishme e mobilizimit të kundërshtimit qytetarë dhe i dërgimit të sinjaleve se qytetarët e Kosovës nuk e pranojnë dhe nuk janë dakord me këtë rrënim të Republikës që po ia bën qeveria", ka thënë Ymeri.

Ndërkohë, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, sërish ka përmendur marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të cilën e ka vlerësuar tërësisht të papranueshme.

Duke iu referuar edhe deklaratës së fundit të presidentit amerikan Barack Obama të cilën ai në formën e shkruar ia dorëzoi ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, ku mes tjerash Obama përshëndet edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Haradinaj, ka thënë se nuk është kundër demarkacionit, por kundër kësaj marrëveshje të arritur e cila është në dëm të territorit të Kosovës.

"Edhe ne e përkrahim marrëveshjen për demarkacion, por të drejtë e jo të tillë çfarë e kanë sjellë në lajthitje. Qeveria e Kosovës, komisioni qeveritar e kanë vënë nën lajthitje gjithkënd, Kosovën, Malin e Zi e të tjerët. Pra, ne e përkrahim një demarkacion të drejtë në Qafë të Çokorrit te Kulla e Zhlebit, por jo këtë demarkacion të kësaj qeverie", ka deklaruar Haradinaj.

Edhe kryetari i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se peticioni është një mundësi që qytetarët të tregojnë vullnetin e tyre, pasi që atyre nuk u ka mbetur ndonjë mundësi tjetër për të kundërshtuar marrëveshjet që Qeveria e Kosovës po arrin me Serbinë.

"Peticioni është një instrument demokratik që zakonisht përdoret kur qeverisja vepron diçka në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe nuk u ofrohet mundësia qytetarëve që të shprehen. Duke mos pasur rrugë e mundësi tjera që të shprehen, është peticioni ai i cili do t'u dërgonte një mesazh të qartë atyre të cilët kanë nënshkruar he kanë bërë marrëveshje në emër të qytetarëve të Kosovës, pa i pyetur ata dhe pa aprovimin e tyre", ka thënë Limaj.

Liderët opozitar nuk kanë treguar se sa do të zgjas mbledhja e nënshkrimeve në kuadër të këtij peticioni si dhe mekanizmat që do të përdoren më pas, nëse ai do të dërgohet në Kuvend për debat apo jo.

Pas peticionit, i cili u tha se do të shtrihet në gjithë Kosovën, sipas opozitës do të pasojë edhe faza e protestave në rrugë për të kundërshtuar marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG