Ndërlidhjet

Mosbesimi në drejtësi i largon dëshmitarët e mbrojtur


Ilustrim
Ilustrim

Mungesa e besimit në sistemin e drejtësisë ka ndikuar që qytetarët e Kosovës të hezitojnë të marrin statusin e dëshmitarit të mbrojtur, është thënë të martën në një hulumtim që ka prezantuar Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikime me temë “Mbrojtja e dëshmitarëve në Republikën e Kosovës”.

Besa Kabashi Ramaj nga kjo Qendër ka deklaruar se Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve është hartuar qysh në vitin 2011, por ai ka hyrë në fuqi një vit më vonë, kurse strukturat e nevojshme për zbatim janë krijuar tek në vitin 2014.

Pas luftës, mbrojtja e dëshmitarëve si kompetencë, u ka takuar organizatave ndërkombëtare, fillimisht administratës së Kombeve të Bashkuara - UNMIK-ut, e më pas misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX.

Por, më përmbylljen e fazës mbikëqyrëse të pavarësisë edhe institucionet e Kosovës do të ballafaqohen me këtë sfidë.

Besa Kabashi Ramaj, ka potencuar se këto institucione, megjithatë, ende nuk kanë përvojë në këtë fushë.

"Ja vlen të theksohet që mbrojtja e dëshmitarëve është kyçe për të arritur drejtësi tranzicionale në vendet pas konfliktit të armatosur, siç është rasti i Kosovës, sepse pa një sistem të drejtësisë ku dëshmitarët potencial janë në gjendje të dëshmojnë pa frikë se do t'ju ndodh diçka atyre personalisht apo të dashurve të tyre, nuk mund të kemi sundim të ligjit. Dhe kjo është arsyeja pse mbrojtja e dëshmitarëve është shumë e rëndësishme", ka theksuar Besa Kabashi Ramaj.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve në Policinë e Kosovës, Skender Rrahmani ka thënë se Kosova ka kapacitete që të mbrojë dëshmitarët.

Tash për tash, ai ka thënë se kjo Drejtori nuk ka asnjë dëshmitar të mbrojtur, pasi që rastet në procedurë ku ka dëshmitarë të tillë, kanë mbetur ende nën kompetencën e EULEX-it.

Por, edhe Rrahmani e ka ngritur si problematikë çështjen e hezitimit të dëshmitarëve, që vjen si rrjedhojë e frikës dhe pasigurisë.

"Dëshmitarët janë një element i rëndësishëm në pjesën më të madhe të proceseve gjyqësore, si edhe për funksionimin e çdo sistemi gjyqësor. Dëshmitarët shpesh hezitojnë ta bëjnë këtë nga frika se bashkëpunimi i tyre me zyrtarët e zbatimit të ligjit kërcënon sigurinë e tyre dhe sigurinë e anëtarëve të familjes", ka thënë Rrahmani.

Hulumtimi i prezantuar dëshmon edhe njëherë se qytetarët i besojnë Policisë së Kosovës, por jo edhe prokurorisë dhe gjykatave, ka thënë në anën tjetër, Besa Kabashi Ramaj.

Andaj, ky mosbesim në organet e drejtësisë, sipas saj, edhe mund të jetë arsyeja kryesore pse qytetarët hezitojnë të dëshmojnë.

"Qytetarët e Kosovës kanë shumë pak besim në institucione dhe e kanë shumë problem të dëshmojnë sepse ndihen që janë duke e rrezikuar mirëqenien e tyre për diçka që nuk është duke ndryshuar", ka thënë Kabashi Ramaj.

Aktualisht, Kosova ka një fond prej 240 mijë euro për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili mbulon programin.

Fondi konsiderohet i vogël, por organet e ndjekjes penale në Kosovë nuk kanë ende dëshmitar të mbrojtur, kështu që tash për tash ai i plotëson nevojat e funksionimit të drejtorisë.

Mungesa e besimit në sistemin e drejtësisë ka ndikuar që qytetarët e Kosovës të hezitojnë të marrin

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG