Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Luginë të Preshevës nuk ishte përgatitur mirë, thotë kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, njëherësh deputet në Kuvendin e Serbisë.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Halimi tregon arsyet pse partia e tij nuk mori pjesë në aktin e shpalljes së Asociacionit. Sipas tij, themelimi i Asociacionit ishte vetëm një përsëritje e disa vendimeve të mëhershme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Tutje, Halimi i cilëson si të pasakta edhe deklaratat e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, në lidhje me të drejtën e komunave që të themelojnë Asociacione. Kjo e drejtë, potencon ai, komunave u lejohet me ligj.
"Ligji për Pushtet Lokal në Serbi parasheh në mënyrë të qartë se pushtetet lokale për të realizuar interesa të përbashkëta, mund të ndërtojnë asociacione dhe të krijojnë organizata, institucione e organe të përbashkëta. Ligji këtë e parasheh, por normalisht që duhet ta kemi parasysh që niveli i të drejtave, i kompetencave të pushteteve lokale në Serbi nuk është i njëjtë me ato që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Jo që nuk është i njëjtë, por është dukshëm më i ulët", thotë Halimi.
Votimi për themelimin e Asociacionit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, konsiderohet se duhet të marrë për bazë vetëm votat e këshilltarëve komunalw nga Presheva e Bujanoci, pasi që ata të Medvegjës nuk kishin mandate legjitime, për shkak se kjo komunë ishte në procesin zgjedhor.
Parimi kryesor i shpalljes së këtij Asociacioni, bazohej në reciprocitetin mes të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
Riza Halimi thotë tutje se ka dallime të mëdha, pasi që pozita e serbëve në Kosovë është më e avancuar. Por, ai pret që edhe faktori ndërkombëtar të reagojw dhe në bazë të disa modeleve ndërkombëtare, t’i zgjidhw edhe çështjet e ngjashme që kanë mbetur tani në Ballkan.
"E kemi Tirolin Jugor, e kemi ujdhesën Aland në Finlandë, do të thotë kemi shembuj shumë pozitiv që në të kaluarën shtetet evropiane i kanë zgjidhur".
"Tash është aktual Ballkani dhe nëse nuk përdoren kritere të njëjta, posaçërisht për pakicat, sidomos ato që paraqesin shumicë në një territor të caktuar të një shteti, atëherë nuk do të kemi stabilitet dhe në një mënyrë, këto shtete që synojnë integrime evropiane do ta destabilizonin vetë Evropën nëse nuk përdoren kritere evropiane", ka deklaruar Halimi.
Krijimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë të Preshevës si masë reciprociteti me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë e ka kundërshtuar Qeveria në Beograd, përkatësisht kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përderisa Qeveria në Prishtinë, nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare për apo kundër këtij vendimi të përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës.