Ndërlidhjet

Mësimdhënësit e pensionuar nga 75 euro në muaj


Ilustrim
Ilustrim

Një numër i madh i punëtorëve në sistemin e arsimit që kanë dalur në pension, po marrin vetëm 75 euro në muaj e jo 140 euro sa është pensioni kontribut-pagues.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), pranon shqetësime dhe ankesa të shumta lidhur më këtë çështje, thotë kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari.

Problemi qëndron, thotë ai, sepse autoritetet kompetente nuk njohin stazhin e punës për periudhën 1989 -1999,kur mësimdhënësit janë larguar dhunshëm nga puna nga regjimi i atëhershëm serb

Sipas të dhënave të SBASHK-ut, rreth 500 mësimdhënës brenda një viti dalin në pension.

“Po përpiqemi që ky defekt të rregullohet sepse me Ligjin mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, thuhet qartë se vitet 1990 – 1999 janë vite kontribut-dhënëse, por në praktikë del se ka mungesa", tha Jashari për Radion Evropa e Lirë.

Në Ligjin për Skemat Sociale të Financuara nga Shteti, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, dhe i cili ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti, në nenin 8, pika 6, thuhet se “ Me këtë ligj u njihet stazhi i punës për pension kontribut-dhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës".

Por, Jashari tregon se ky ligj nuk zbatohet dhe se mësimdhënësit e pensionuar po gëzojnë vetëm pensionin bazë.

Për këtë, ai shprehet se po kërkojnë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të gjejnë fonde për zbatimin e këtij ligji.

“Ne shpresojmë që javën e ardhshme do të kemi një takim me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, për të sqaruar çështje dhe për të parë që së paku në buxhetin e vitit 2016 të dedikohen mjete për këtë kategori dhe mësimdhënësit mos të dalin me 75 euro të pleqërisë po me pensionin që iu takon, 140 euro", tha ai.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, theksojnë se ligji njeh stazhin, por mundësitë financiare pamundësojnë zbatimin e nenit tetë të këtij ligji.

Minire Begaj, ushtruese e detyrës se udhëheqësit të Departamentit Ligjor në këtë ministri, pohon se pikërisht për zbatimin e këtij neni, ministria është e obliguar të nxjerrë disa akte nënligjore.

Begaj, madje shprehet se Ministria e Punës është e interesuar për fillimin e zbatimit të këtij ligji, por që në këtë drejtim janë të përfshira edhe institucionet tjera.

"Në këtë kuadër Ministria e Arsimit, është e obliguar të përgatitë një plan të detajuar dhe një raport me lista të të gjithë atyre që kanë punuar në atë periudhë. Ne si ministri ende nuk e kemi kemi këtë listë, asgjë nuk kemi zyrtare, në mënyrë që të fillojmë tutje procesin brenda ministrisë“, tha Begaj.

Pavarësisht kësaj, autoritet kompetente në Kosovë kanë premtuar se me një ligj të veçantë do të shpaguhet puna e mësimdhënësve, pas pensionimit, të cilët kanë punuar në periudhën 1989-1999.

Për këtë çështje Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është në fazën përfundimtare të projekt-ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptarë të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij projekt-ligji, mësimdhënësit që konsiderohen të jenë 22 mijë, do të marrin një pagë të plotë të pagës së garantuar si pension.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG