Ndërlidhjet

VOX: Të rinjtë dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit


Ilustrim(@Shutterstock)
Ilustrim(@Shutterstock)

Interesimi i të rinjve në Kosovë për të studiuar në vendet e Bashkimit Evropian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shihet të jetë mjaft i madh.

Disa të rinj thonë se studimet jashtë vendit janë një mundësi e mirë për të përmirësuar njohuritë e tyre, si dhe për ta arritur një karrierë të ardhshme profesionale.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, sjellim mendimet e disa të rinjve lidhur me këtë çështje.

Shumë prej tyre mendojnë se do të përfitonin më shumë nëse do të studionin në vendet e Bashkimit Evropian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se sa në Universitetet në Kosovë.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:24 0:00
Shkarkoje

Dafina Pacolli, studente në Fakultetin Ekonomik, në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë në Universitetin e Prishtinës, shprehet:

“Kisha pasur shumë dëshirë të studioj jashtë vendit për arsye se ke më shumë mundësi, jo vetëm për punësim, por edhe do të mësoje më shumë, nëse e krahasojmë me Universitetine Prishtinës që nuk është që mëson shumë, për shkak të numrit të madh të studentëve si dhe ligjëratat janë shumë teori dhe asgjë praktike. Do të ishte mirë të studioja jashtë vendit,por jo të gjithë i kemi ato mundësi”.

Dafina tregon se sikur të kishte përkrahjen financiare të shtetit apo të ndonjë organizate tjetër për të studiuar jashtë vendit, do të zgjidhte krejt diçka tjetër nga ajo çka studion aktualisht.

“Sikur të mund të studioja jashtë vendit do të studioja krejt diçka tjetër dhe jo në Fakultetin Ekonomik, por kushtet te ne po të obligojnë të studiosh ekonomikun ose juridikun, për shkak të mundësive të punësimit. Jashtë vendit ke mundësi më shumë të zgjerosh dijen. Më pëlqen shumë të lexoj libra dhe do të kisha dëshirë të studioja diçka që ka të bëjë me editimin e librave”, shton Dafina.

Egzona Mehmeti është studente në dy Fakultete. Ajo studion Shkencat sociale dhe Menaxhmentin Industrial, por që sikur t’i jepej mundësia të studiojë jashtë vendit, ajo thotë se do të studionte për psikologji.

“Nëse do t’më ofrohej mundësia të studioja jashtë vendit, këtë do ta pranoja me shumë dëshirë. Është njëra nga ëndrrat e mia të studioj jashtë vendit. Këtu në Kosovë gjërat shkojnë jo edhe ashtu si do të duhej. Për studime jashtë vendit përfitojnë bursa ndoshta më shumë fëmijët e atyre personave që janë në pushtet, sesa ne që nuk e kemi askënd në institucione”, vlerëson Egzona.

Në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur.

Këta mekanizma kishin kërkuar vazhdimisht nga autoritetet kompetentet që të bëjnë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend dhe të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq, dhe pastaj të bëhen ndryshimet.

Se niveli i studimeve jashtë vendit është shumë më i mirë se sa në Kosovë tregon edhe Lulzim Ajeti, i cili jeton në Gjermani.

“Për të rinjtë, kushtet e studimeve janë shumë më të mira, pasi që iu ndihmon edhe shteti. Në Kosovë kushtet për të studiuar mendoj se janë shumë larg vendeve evropiane, por që shpresoj që në të ardhmen edhe këtu të ketë përmirësime”, thotë Lulzim Ajeti.

Marigona Dragusha një studente nga Prishtina, është në pritje për të shkuar në studime jashtë vendit.

Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin e Arkitekturës dhe për studime master është pranuar në një Universitet në Vjenë të Austrisë.

Por, shkuarjen për studime jashtë vendit Marigona e vë në dyshim për shkak se nuk është e pajisur me vizë Shengen dhe ende nuk i ka siguruar paratë.

“Unë i kam përfunduar studimet dhe dua të shkoj në Austri për të vazhduar studimet master. Është mirë nëse të përkrah shteti, por te ne është vështirë se nuk të ndihmon askush, duhet të gjitha t’i mendosh vetë. Unë jam pranuar në Fakultetin e Arkitekturës në Vjenë, jam duke pritur që të marr vizën dhe t’i gjej paratë”, tregon Marigona.

Studimet në fakultetin në Vjenë ku ajo është pranuar për studime master, tregon Marigona Dragusha, do t’i kushtojnë 750 euro për një semestër, ndërsa studimet zgjasin 2 vjet.

Disa të rinj tashmë kanë filluar përgatitjet për studime në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Rreze Mehmeti, nxënëse në një shkollë të mesme në Kosovë, tregon për përgatitjet e saj.

“Aktualisht, jam duke e përfunduar një kurs të gjuhës që të studioj jashtë vendit. Të gjithë kemi dëshirë të kemi bursa, por vendi ynë nuk ofron shumë. Po ashtu, fakultetet tona nuk ofrojnë studime të mirëfillta nëse krahasohen me fakultetet e shteteve tjera dhe kjo është arsyeja që dua të studioj psikologjinë jashtë Kosovës. Me studimet që do t’i bëj atje do të kem më shumë perspektivë”, shprehet Rrezja.

Ka shumë të rinj nga Kosova, të cilët kanë studiuar dhe janë duke studiuar jashtë vendit. Disa prej tyre kanë fituar bursa e disa me vetëfinancim.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID), në vazhdimësi ka siguruar bursa, kryesisht të nivelit master dhe atë në sektorët e shënjestruar, që janë në përputhje me objektivat zhvillimore të USAID-it.

Me mbështetjen e USAID-it, vitin e kaluar ishin ndarë 50 bursa për master dhe 35 për certifikim për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Këta studentë tashmë janë duke studiuar në universitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG