Ndërlidhjet

Maqedoni: Viti i ri shkollor, me probleme të vjetra


Ilustrim
Ilustrim

Viti i ri shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoni ka nisur me probleme të vjetra, me tekste shkollore të konsestueshme për shkak të përmbajtjeve fyese, programe të pareformuara, paralele të mbingarkuara dhe mungesë të kushteteve elementare për mësim.

Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, thonë se tani disa vite me radhë kërkohet hartimi i teksteve të reja për të larguar të gjitha ato fyerje në baza etnike që janë regjistruar në tekstet e historisë, kulturës, por edhe për të reformuar tekstet tjera që nuk korrespondojnë aspak me realitetin e ri në sferën e arsimit.

“Sa i përket teksteve shkollore, asgjë nuk është ndryshuar. Të gjitha tekstet kanë përmbajtjen e tij edhe në botimin e ri. Përveç tekstit të gjeografisë që ka pësuar ndryshime dhe atyre të Kembrixhit, ndryshime tjera nuk ka. Para tre viteve Ministrisë së Arsimit u janë dërguar propozime nga shkollat, por edhe nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë për përmirësimin e gabimeve të evidentuara, por ndryshime nuk janë bërë, janë tekstet e njejta“, thotë Nuhi Dardhishta.

Edhe këtë vit, nxënësit e shkollave fillore historinë do ta mësojnë nga i njejti tekst ku fiset ilire të Enkelejve dhe Dasaretëve paraqiten si fise maqedonase, apo se shqiptarët janë njerëz të zbritur nga malet.

Nga teksti shkollor i lëndës së Kulturës nxënësit do të mësojnë se shqiptarët janë të prapambetur dhe të pakulturuar, e fyerje tjera në baza etnike.

Edhe Vllado Dimosvski nga qendra për tolerancë ndëretnike dhe mësimdhënës në një shkollë me përbërje të përzier entike në Shkup, pranon se tekstet shkollore janë skandaloze.

“Problemet në arsim nuk janë rë reja, ato janë të pranishme vite me radhë, por ato dolën në sipërfaqe vitin e kaluar, fillimisht nga studentët, pastaj nga nxënësit e shkollave të mesme, për të vazhduar me shkollat fillore ku edhe janë më të ndieshme sa i përket teksteve shkollore".

"Ato janë më kualitet shumë te keq, duke filluar nga përmbajtja e tyre, të përkthyera me gabime të shumta para se gjitha në gjuhët e bashkësive entike, me të dhënat të këqija historike, të përziera, të pasakta e kështu me radhë“, thotë Dimovski.

Nga Ministria e Arsimit deri tani deklaronin se po punojnë për evitimin e gabimeve ndërsa tani kanë dalë me qëndrimin se me përmbajtjet e tekstit të historisë duhet të merren historianët

“Përpilimi i një teksti shkollor është problematik veçanërisht tekstet që kanë të bëjnë me historinë, me gjuhën, kulturën e bashkësive apo popujve që jetojnë në Maqedoni. Konsideroj se një pjesë e mirë e këtij aktiviteti duhet ti lihet institucioneve joarsimore, por atyre shkencore, para se gjithash historianëve të cilët janë më kompetentë lidhur me këtë çështje“, ka deklaruar ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi.

Me probleme të shumta po përballen edhe nxënësit e shkollave të mesme. Nga organizata që tubon nxënësit, që njihet me emrin si “Plenumi i Nxënësve“, thonë se nuk heqin dorë nga realizimi i kërkesave të vitit të kaluar, lidhur me reformat në sistemin e maturës shtetërore, por edhe të provimit ekstern duke kërkuar eleminimin e tërësishëm e këtij obligimi ligjor.

Veç këtyre sfidave, arsimin fillor dhe të mesëm e preokupojnë edhe probleme tjera. Shumë shkolla fillore kanë mungesë të kushteve elementare si dhe xhirollogari bankare të bllokuara për shkak të borxheve të papaguara. Arsimin fillor në Maqedoni e ndjekin rreth 180 mijë nxënës ndërsa rreth 80 mijë në arsimin e mesëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG