Ndërlidhjet

Shumë donacione e shumë mangësi në institucionet shëndetësore


QKUK
QKUK

Ndonëse në shëndetësinë kosovare çdo vit hyjnë miliona euro si donacione, institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të përballen me mungesë të madhe të pajisjeve të nevojshme për shërbime shëndetësore.

Njëra nga pacientet e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, e cila vuan nga një sëmundje kronike, tregon për realitetin me të cilin përballet çdo ditë...

"Unë jam një paciente e rregullt në QKUK, sepse vuaj nga një sëmundje. Unë jam shumë e zhgënjyer, sepse të gjitha barnat, duke filluar nga shiringat e gjithçka tjetër duhet t'i blej vetë", thekson ajo.

Konkretisht, në Klinikën Ortopedike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pacientët që kanë nevojë për operacione të ndryshme, këto shërbime duhet t'i marrin jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Kështu thotë Xhemajl Selmani, ortoped, njëherit kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në QKUK.

"Janë tejet të nevojshme donacionet e huaja. Nuk ka investime të duhura nga Ministria e Shëndetësisë. Neve në ortopedi na mungojnë shumë gjëra. Implantet i blejnë vetë pacientët. Deri në vitin 2006, kompania ‘’American Care" ka dhënë donacione për Klinikën Ortopedike".

"Atë kohë kemi qenë të furnizuar mirë. Të gjitha i kanë sjellë. Pas vitit 2006, janë ndërprerë donacionet. Ne vazhdimisht bëjmë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë, por furnizimi është i mangët. Për shumë patologji tash, pacientët trajtohen jashtë QKUK-së. Sidomos implantet dhe protezat nuk i kemi", tha Selmani.

Zoti Selmani gjithashtu ka shtuar se ndonëse është kompletuar ekipi për operacione spinale, një gjë e tillë nuk po mund të ndodhë për shkak të mungesës së materialit.

"Tashmë ne kemi ekipin e kirurgjisë spinale, por nuk mund të bëjmë operacione për shkak të mungesës së implanteve".

Por, zëvendësministri i Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Izet Sadiku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë duke punuar që të krijohet një ambient i përshtatshëm për investimet e huaja. Ai flet edhe për donatorët afatgjatë të sistemit shëndetësor.

"Ne jemi duke zhvilluar takime për parakushtet e krijimit të ambientit për investitorët e huaj. Po ashtu, jemi duke zhvilluar takime të ndryshme me investitorë, ku janë të interesuar për hapjen e Institutit Onkologjik për radio-terapi, dhe së shpejti do të kuptojmë përgjigjen e tyre për mundësinë e investimit. Rreth 10 milionë euro do të jetë investimi që po planifikohet të bëhet".

"Ne kemi shumë investitorë afatgjatë që janë duke investuar në Kosovë që nga viti 2009, dhe zakonisht janë të fokusuar në sjelljen e pajisjeve farmaceutike. Këta, falë bashkëpunimit të mirë do të rrisin investimet në Kosovë edhe në fusha tjera", shtoi Sadiku.

Ndryshe, sipas një hulumtimi të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), mbi 60 milionë euro në vit shkojnë në vendet e rajonit, për shërbime të ndryshme shëndetësore, derisa një pjesë e tyre nuk ofrohen në Kosovë.

Andaj sipas zotit Sadiku, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë janë duke punuar që të krijohet ambient i favorshëm për investime në shëndetësinë kosovare.

Sidoqoftë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë pjesës së parë të këtij viti kanë hyrë 1.5 milionë euro donacione në formë barnash, pajisjesh dhe ndihma të tjera.

Këtë e thotë Rina Limani, koordinatore për donacione në nivel të QKUK-së, derisa flet edhe për investimet e vitit të kaluar për këtë institucion.

"Gjatë vitit të kaluar, kanë qenë 1 milion e 800 mijë euro që kanë qenë të dedikuara për klinika të ndryshme, për pajisje e barna. Shifra e ndihmës me barna ka qenë 1 milion euro, ndërsa të tjerat kanë ardhur si pajisje, kryesisht për Klinikën Gjinekologjike Obstetrike, donacione të konsiderueshme për kujdesin neonatal", ka shtuar Limani.

Në sistemin shëndetësor në nivel të Kosovës, vlera e donacioneve është me miliona euro. Së fundmi, projekti për Shëndetësinë në Kosovë, ka ndarë 25.5 milionë dollarë, e që është pjesë e marrëveshjes me Bankën Botërore, e cila në janar të këtij viti ka nënshkruar marrëveshje edhe me Qeverinë e Kosovës.

Gjithashtu, për këtë vit donacioni më me rëndësi është ai i Emirateve të Bashkuara, për ndërtimin e Spitalit Pediatrik. Për ndërtimin e tij, në formë donacioni do të dhurohen 22 milionë euro, ndërkaq parashihet që ndërtimi të përfundojë në vitin 2017.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG