Ndërlidhjet

Maqedoni: Komunat “fshehin” borxhet


Ilustrim
Ilustrim

Të dhënat nga hulumtimi i Qendrës për Analiza Ekonomike, kanë nxjerrë në pah se nga 84 komuna në Maqedoni, vetëm dhjetë nga to kanë publikuar borxhin e tyre, në faqen e tyre të internetit. Kështu, ato kanë shkelur edhe ligjin, në bazë të të cilit janë të obliguara që të gjitha shpenzimet e komunës t`i publikojnë në raportet financiare në internet.

Ky veprim i komunave është evidentuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN-ja, Banka Botërore dhe raportet e Bashkimit Evropian.

“Më duhet të ritheksoj se edhe në rekomandimet në raportin e progresit të Komisionit Evropian, për Maqedoninë, është apostrofuar nevoja që institucionet e pushtetit vendor duhet të jenë më transparente gjatë shpenzimit të mjeteve publike, si dhe përfshirjen e sektorit civil gjatë hartimit të politikave zhvillimore për komunat".

"Madje, BE-ja ndan fonde të veçanta për trajnimin e organizatave joqeveritare për t`i nxitur qytetarët që të jenë pjesë aktive gjatë vendimeve që merren për zhvillimin e komunave”, shprehet Mauro Di Verolli, përfaqësues i delegacionit të BE-së në Shkup.

Por, Albert Hani, drejtues i Organizatës joqeveritare “Qendra për menaxhimin e konflikteve”, thotë se komunat në Maqedoni, madje, 'sakrifikojnë” shfrytëzimin e mjeteve nga IPA-fondet, duke mos publikuar shpenzimet dhe llogaritë përfundimtare të buxhetit vjetor, si një nga kushtet bazë për t`i shfrytëzuar këto mjete.

Kjo, sepse pas mosbërjes publike të të dhënave, kamuflohen shumë keqpërdorime në interes të individëve të caktuar, ose partisë së cilës i përket drejtuesi i komunës.

“Proceset vendimmarëse të komunave nënkuptojnë transparencë gjatë shpenzimeve për qindarkën e fundit, që nuk është në favor të aktiviteteve jashtëligjore të komunave. Indikatorë për këtë është dhe fakti që shumica e fondeve IPA, mbeten të pashfrytëzuara nga komunat, sepse komunat, për qëllime të caktuara, nuk i implementojnë standardet, në bazë të të cilave mund të shfrytëzohen mjetet e ndara nga Bashkimi Evropian”, thekson Hani.

Ndërkaq, profesor Borçe Treneski, ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Shkup, i cili ka qenë i inkuadruar në projektin në fjalë, thotë se transparenca e menaxhimit të mjeteve financiare është parakusht për stabilitetin makro-ekonomik të një shteti.

“Nëse nuk kemi të dhëna konkrete, atëherë nuk do të mund ta akuzojmë qeverinë se punon mirë ose keq. Pra, thjesht, ne nuk kemi kurrfarë informacioni rreth punës së autoriteteve qeveritare. Transparenca e menaxhimit të mjeteve financiare është parakusht, njëherësh dhe arma më e fuqishme për të luftuar korrupsionin dhe njëkohësisht stimulon zhvillimin demokratik të institucioneve”, vlerëson Treneski.

Sipas tij, Maqedonia çalon dukshëm sa i përket transparencës gjatë shpenzimit të mjeteve të buxhetit, si rrjedhojë e mungesës së vullnetit politik.

Ndryshe, në konkluzat e Qendrës për Analiza Ekonomike, theksohet nevoja e ndryshimit të rregullativës ligjore, në bazë të së cilës komunat do të obligoheshin t’i publikojnë dokumentet të plota në ueb-faqe, por edhe të detyrohen tërësisht dhe në kohë ta publikojnë borxhin komunal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG