Ndërlidhjet

Prokurori special dominon debatin në Maqedoni


Partitë politike kanë vazhduar bisedimet për mënyrën e zgjedhjes së prokurorit special, por edhe kompetencat e tij lidhur me hetimin e aferës së përgjimeve që ka shkaktuar krizën politike në vend.

Zgjedhje e tij, sipas afateve të marrëveshjes politike duhet të përfundojë deri më 15 shtator.

Deri më tani nuk janë dhënë detaje për rrjedhën e bisedimeve, përveç një prononcimi të ndërmjetësit ndërkombëtar, diplomatit belg, Piter Van Hojt, i cili është shprehur i kënaqur nga rrjedha e bisedimeve duke besuar se partitë do të arrijnë të harmonizojnë qëndrimet.

Partitë, thuhet të jenë pajtuar që prokurori special të zgjidhet nga radhët e prokurorëve aktual të prokurorisë publike, por, një mundësi e tillë, nuk shihet si zgjidhje adekuate nga njohësit e çështjeve juridike.

“Do të ishte mirë që të kemi një prokuror special, por që do të ishte i huaj me kompetenca të konventave ndërkombëtare, të ketë një autonomi të veprimit pa marrë parasysh se cili është shkelësi i ligjit, sepse këtu deri më tani ka pasur veprime selektive për atë se kush e shkel dhe kush nuk e shkel ligjin".

"Por, në rast të ndonjë zgjidhjeje tjetër, unë besoj se ai do të jetë një farsë e dështuar pasi shkeljet dhe keqpërdorimet janë të atilla, sa që të dyja palët, pra, partitë politike do të jenë të interesuara që të mos vihet në funksion shteti i së drejtës“, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës publike në Universitetin Fon të Shkupit.

Që prokurori special të rezultoj me sukses në punën tij duhet të sigurohet disa kritere bazë, thotë Jovan Tërpenovski, ish prokuror publik.

Sipas tij, pavarësia, aspekti financiar dhe ekipi i gjerë, janë elementet kryesore për punën e tij të suksesshme

“Duhe të garantohet akti normativ për të siguruar një pavarësi të madhe në punën e prokurorit special. Që të bëhet kjo, duhet të ndryshohet ligji për prokurorinë, apo të miratohen akte tjera ligjore të cilat do të garantojnë se prokurori do të mund të vendos në mënyrë të pavaruar bazuar në dëshmi dhe bindjet e tij që do të jenë në përputhje me ligjin".

"Këtu vlerësoj se duhet të përfshihet edhe pavarësia financiare për mbulimin e të gjitha harxhimeve për mbarëvajtjen e punës së tij dhe të ekpit që do ta shoqëroj. Pra, ai duhet të ketë një pavarësit të plotë të veprimit dhe një ekip të gjerë“, thotë Tërpenovski duke shtuar se nëse këto çështje nuk përmbushen atëherë puna e prokurorit special do të jetë e dështuar.

Ai vlerëson se një element tjetër shumë i rëndësishëm që puna e prokurorit special të ketë sukses është edhe përbërja e trupit gjykues që do të procedonte lëndët që mund të paraqiten për gjykim nga prokurori special.

Tërpenovski thotë se gjykatat aktuale për shkak të politizimit dhe partizimit të skajshëm nuk do të jenë në gjendje të gjykojnë rastet e prokurorit special, apo do të kërkonin forma nga më të ndryshme për të sabotuar por edhe për të hedhur poshtë paditë e ngritura për funksionarët e përfshirë në krime.

“Vlerësoj se seriozisht duhet të mendohet për formimin e një njësie të veçantë në kuadër të gjykatës penale ku ai do të punonte sipas parimeve të njëjta me prokurorin special. Ne, përveç që duhet të angazhohemi për punë të pavarur të prokurorit special, gjithashtu duhet të kemi parasysh edhe punën e pavarur të gjykatës, apo të një njësie të veçantë në kuadër të gjykatës penale".

"Veç kësaj, mendoj se duhet të mbahet llogari edhe për instancat më të larta, atje ku palët e gjykuara mund të ankimojnë vendimet, pra, edhe atje duhet të kemi organe të pavarura që do të jenë në një linjë me prokurorin, që të mos ketë presione apo ndikime politike ndaj vendimeveqë mund të merren“, thotë Tërpenovski.

Nga ana tjetër, Bashkim Selmani, thotë se roli i përfaqësuesve ndërkombëtar duhet të jetë i madh pasi siç shprehet ai, deri më tani krimi në Maqedoni është toleruar andaj edhe ka marrë përmasa shqetësuese.

Selmani thotë se në rastin konkret nevojitet përkushtim i madh që të mos dështon hetimi i asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

“Faktori ndërkombëtar deri më tani nuk ka treguar ndonjë fleksibilitet dhe realisht ka qenë tolerantë ndaj veprimeve kriminale. Ky është një fakt vërtetë shqetësues për arsyeje se shumë shkelje që po ndodhin jo që janë dënuar nga faktori ndërkombëarm, por sikur iu ka dhënë shpresë keqpërdoruesve apo politikës aktuale“, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës publike në Universitetin Fon të Shkupit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG