Ndërlidhjet

Opozita e revoltuar me marrëveshjen për Asociacionin


Nënshkrimi i katër marrëveshjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nxitur reagime të shumta në Prishtinë.

Një interesim të shtuar ka zgjuar marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, e cila nga opozita jo vetëm se po cilësohet si e dëmshme, por edhe po paralajmërohen veprime për ta penguar zbatimin e saj.

Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, duke e cilësuar atë si fillim të "bosnizimit" të Kosovës.

Kurse kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi i ka quajtur tradhtarë të interesave të Kosovës.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se marrëveshja ishte skandaloze.

"Themelimi i një Asociacioni të tillë nënkupton njëkohësisht edhe fundin e Republikës, ashtu të tillë si e njohim dhe aq më tepër fundin e një Republike çfare e kanë dashur, për të cilën janë përpjekur e sakrifikuar dhe për të cilën kanë punuar vazhdimisht qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vendim, nënshkrim i Isa Mustafës është drejtpërsëdrejti tradhti e interesave të qytetarëve, tradhti e Republikës, tradhti ndaj Kushtetutës dhe tradhti ndaj vullnetit të përgjithshëm politik të qytetarëve të Kosovës", ka thënë Ymeri.

Nisur nga këto qëndrime, Vetëvendosje i ka kërkuar kryeministrit Isa Mustafa të japë dorëheqje, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Po ashtu, Vetëvendosje ka paralajmëruar organizimin e protestave në kundërshtim të themelimit të këtij Asociacioni.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca ka thënë se nuk do të zgjedhin mjete për të kundërshtuar zbatimin e kësaj marrëveshje.

"Meqë politikanët e Kosovës që ishin në Bruksel, shkuan atje dhe e qitën nënshkrimin mbi këtë marrëveshje, patën fytyrë ta bëjnë një gjë të tillë, ne nuk duhet të na mungojë guximi që të mos zgjedhim mjete, ama bash kurrfarë mjeti, për me ndalë krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe që faktikisht është ndarje faktike, legale e shtetit të Kosovës", është shprehur Konjufca.

Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar marrëveshjen për Asociacionin Serb në kundërshtim me interesat e Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka kërkuar përgjegjësi kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi për marrëveshjen e arritur, e cila sipas tij, rrezikon funksionimin, sovranitetin, integritetin dhe shtetësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk është kundër Asociacionit, po që se ai do të ishte në përputhje me Pakon e Ahtisaarit.

Kurse në formën e marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, e ka cilësuar të papranueshme.

"Zoti Thaçi dhe zoti Mustafa me këtë rast kanë shkelur mbi interesat e Kosovës dhe Kosova, institucionet, populli duhet ta gjejnë mënyrën për t'i nxjerrë para përgjegjësisë këta njerëz për këto vendime. Ne kemi vendosur që ta formojmë një grup punues, i cili do të gjejë mospërputhjet e marrëveshjes me Kushtetutën e Kosovës, me Pakon e Ahtisaarit, por edhe me Marrëveshjen e 19 Prillit (për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi). Pra, të gjinden se ku ka dalje, mospërputhje me vendimet e mëhershme", ka theksuar Haradinaj.

Lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin, me një deklaratë për media është prezantuar edhe Instituti Demokratik i Kosovës i cili e ka konsideruar këtë si një hap që çon drejt krijimit të nivelit të tretë të pushtetit në Kosovë.

Jetmir Bakia nga ky Institut ka numëruar vetëm disa nga arsyet pse vlerësohet që ky Asociacion nuk është një Organizatë Joqeveritare, siç kishte paralajmëruar Qeveria e Kosovës.

"Ka mbikëqyrje të plotë në arsim, ka mbikëqyrje të plotë në përmirësim të shëndetësisë, ka mbikëqyrje të plotë në zhvillim ekonomik lokal, ka mbikëqyrje të plotë në koordinim të planifikimit urban/rural, pastaj i lejohet delegimi i kompetencave nga niveli qendror (aktualisht vetëm komunave u lejohet delegim i kompetencave si dhe i lejohet të iniciojë procedurë në Gjykatën Kushtetues", ka thënë Bakija.

Për dallim nga opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile që e kanë kundërshtuar ashpër marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij, Hashim Thaçi i kanë cilësuar marrëveshjet e reja me Serbinë si zhvillim historik që, sipas tyre, shpie kah njohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.

Krahas Asociacionit, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që Kosova në të ardhmen ta ketë edhe kodin e saj ndërkombëtar telefonik, pastaj është arritur një marrëveshje për çështjen e energjisë si dhe lirinë e lëvizjes mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG