Një propozim qeveritar për kufizimin e importit të furnizimeve mjekësore ka shkaktuar panik në mesin e familjarëve në Rusi, për shkak të mundësisë që të dashurit e tyre të preken nga kjo masë.
Ekspertët shëndetësorë thonë se ky veprim do ta rrezikonte jetën e një numri të madh të pacientëve.
Kur Yulia Koptseva kishte dëgjuar për planet e Qeverisë së Rusisë për ta ndalur importin e një vargu të artikujve mjekësorë të prodhuar në vendet e jashtme, kishte thënë shkurt: “Dëshiroj që vajza ime të largohet”.
Ky ishte, po ashtu, një koment prekës që ajo e kishte bërë në një peticion on-line ku ishin mbledhur afro 10 mijë nënshkrime kundër propozimit, që ishte paraqitur më herët këtë muaj nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë e Rusisë.
Vajza e zonjës Koptseva, Anastasia, vuan nga sëmundja Epidermolysis Bullosa, që është sëmundje e rrallë dhe e vështirë, e cila shkakton fshikëza në lëkurë dhe lot edhe me prekjen më të vogël.
Nëse miratohet kjo ndalesë, nëna Yilua Koptseva ka frikë se vajza e saj më nuk do të ketë qasje në fashat e cilësisë së lartë gjermane, të cilat i kanë ndihmuar në uljen e dhimbjeve të vajzës së saj, e kanë parandaluar traumën në lëkurë dhe e kanë ulur rrezikun e vazhdueshëm që ajo mund të ketë infektime që ia rrezikojnë jetën.
“Kjo paraqet vrasje masive. Ata munden, po ashtu, t’i vrasin njerëzit, të cilëve u duhen furnizime të këtilla”, tha Yulia Koptseva, ish-ligjëruese në Universitetin e Moskës, e cila ishte larguar nga puna për t’u kujdesur për vajzën e vet.
Ky propozim për ndalesë të furnizimeve mjekësore, ka shkaktuar pakënaqësi në Rusi, ku shumë spitale, për fat të keq, nuk kanë pajisje të nevojshme dhe pacientët zakonisht ballafaqohen me shumë barriera, nga burokracia e deri tek indiferenca dhe ngadalësia për të pasur trajtim bazik mjekësor.
Ekspertët e mjekësisë thonë se ndalimi, me të cilin do të preken më se 100 lloje të pajisjeve dhe artikujve mjekësorë të prodhuara në shtetet e jashtme, do të paraqiste goditje të madhe për shtetasit më të pambrojtur rusë.
Sipas propozimit, kapacitetet e financuara nga shteti, së shpejti nuk do të lejohen të importojnë pajisje dhe artikuj siç janë ventilatorët, skenerët për rezonancë magnetike, për rëntgen dhe makinat për ultratingull, inkubatorët për foshnjat e porsalindura, e të tjera.
Në listën e furnizimeve, që do të jenë subjekte të kufizimeve, po ashtu, përfshihen pajisjet prostetike, fashat sterile, matracët ortopedikë spitalorë, kornizat për ecje, e madje edhe kondomët.
Ndërmarrjet private nuk do të preken nga këto kufizime, ndërsa kritikën thonë se kjo vetëm do ta thellojë hendekun ndërmjet kualitetit të kujdesit për të pasurit dhe të varfrit në Rusi.
Aliona Kuratova është udhëheqëse e një organizate mjekësore humanitare, që u ndihmon fëmijëve me sëmundjen Epidermolysis Bullosa. Për masat e paralajmëruara të qeverisë së Rusisë, ajo thotë:
“Kjo nuk do të ndikojë në fondin tonë në mënyrë direkte, ne ende do të jemi në gjendje të furnizohemi me pajisje të jashtme. Por, ata fëmijë që aktualisht marrin trajtim në qendrat e financuara nga shteti, do të jenë në rrezik”.
Vlerësohet se afro 1,500 njerëz në Rusi vuajnë nga sëmundje të pashërueshme gjenetike. Ata që vuajnë nga këto sëmundje, shpeshherë quhen edhe si “fëmijë flutur”, pasi lëkura e tyre dëmtohet lehtë sikur krahët e fluturës.
Shumë prej tyre, sikur vajza 6-vjeçare, Anastasia Koptseva, varen nga programet qeveritare për importimin e fashave, gjipsit dhe antiseptikëve, të nevojshëm për ta mbuluar lëkurën e tyre.
Nëna e vajzës Anastasia tha, se ndalesa e propozuar, që mund të ketë ndikimin në furnizimin e këtyre artikujve, mund të shkaktojë infektime tejet të rrezikshme për fëmijët.
“Kur ne i largojmë fashat e zakonshme nga trupi i fëmijëve tanë, lëkura po ashtu qërohet. Nëse këto prodhime nuk blihen këtë vit, ne jemi të dënuar. Jam shumë e frikësuar”, tha Yulia Koptseva.
Propozimi, aktualisht, shihet si i motivuar politikisht, ashtu sikur ndalesat që Rusia u ka bërë shumë ushqimeve të prodhimit perëndimor, vitin e kaluar, në shenjë të hakmarrjes kundër sanksioneve të ndërmarra nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, për shkak të rolit të Rusisë në Ukrainë.