Ndërlidhjet

Njihuni me pengjet e Putinit


Eston Kohver, oficer i Shërbimit të Brendshëm të Sigurisë në Estoni.
Eston Kohver, oficer i Shërbimit të Brendshëm të Sigurisë në Estoni.

Një është oficer i policisë, një regjisor dhe tjetri pilot.

Tre njerëz, të rrëmbyer në mënyrë të paligjshme nga vendet e tyre dhe të burgosur padrejtësisht nga një fuqi e huaj mashtruese. Jeta e tyre është zhvendosur dhe ndërprerë, ndërsa të ardhmen e kanë të pasigurt.

Këto janë pengjet e presidentit rus, Vladimir Putin, dy burra dhe një grua, që janë bërë viktima të xhihadit të tij kundër rregullave, normave dhe ligjeve ndërkombëtare.

Putin ka bërë shumë gjëra tronditëse dhe shqetësuese në vitet e fundit.

Ai është udhëheqësi i parë që ka aneksuar me forcë territorin e një vendi tjetër në Evropë, që nga Adolf Hitleri.

Ai ka nisur një luftë të fabrikuar në lindje të Ukrainës, që ka marë mijëra jetë njerëzish. Ai ka zhytur Rusinë në një spirale absurde të ksenofobisë, jotolerancës dhe shtypjes. Ai është i angazhuar në një lojë të rrezikshme me Perëndimin.

Dhe, ai po ashtu është bërë rrëmbyes, i barabartë me një bos të krimit ndërkombëtar.

Moska pretendon se Eston Kohver është një spiun i Estonisë dhe se është kapur duke spiunuar në territorin rus. Ai nuk është dhe nuk ka qenë. Ai është fajtor sepse bën mirë punën e vet dhe është objektiv i përshtatshëm.

Kohver është oficer i Shërbimit të Brendshëm të Sigurisë në Estoni, ose KaPo, organizatë ekuivalente me FBI-në.

Në kohën kur është rrëmbyer, ai ka qenë duke hetuar një rrjet të kontrabandës, të udhëhequr nga grupet ruse të krimit të organizuar në Estoni. Mëngjesin e 5 shtatorit, 2014, Kohver është dashur të takojë një informator të fshehtë në një pyll të izoluar pranë fshatit Mikse të Estonisë, vetëm pak kilometra larg kufirit me Rusinë.

Në rrugën e tij për në takim, Kohver është sulmuar me granata tymi, është rrëmbyer dhe marrë në Rusi.

Rojet kufitare estoneze dhe ruse kanë inspektuar zonën ku Kohver është zhdukur, në ditën e incidentit.

Një protokoll i përbashkët dygjuhësh thotë se, bazuar në analizat e gjurmëve në zonë, një grup i njerëzve ka hyrë në Estoni nga Rusia dhe pastaj është kthyer atje.

Pas një gjykimi në rajonin Pskov të Rusisë, Kohver është dënuar me 15 vjet burg për spiunazh.

Rusia po ashtu pretendon se Oleh Sentsov është terrorist. Ai nuk është. Gjëja e vetme për të cilën është fajtor, është trimëria e tij. Ai ka qenë i gatshëm të kundërshtojë hapur aneksimin e paligjshëm që i ka bërë Moska vendit të tij.

Sentsov është regjisor i Ukrainës, i njohur për filmim Gaamer, i cili ka debutuar në Festivalin e Filmit në Roterdam më 2012. Ai po ashtu është baba i vetëm i dy fëmijëve.

I lindur në Krime, Sentsov ka qenë mbështetës i fuqishëm i kryengritjes pro-perëndimore të Ukrainës, Euromaidan. Ai ka qenë po ashtu kundërshtar i ashpër i aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ka ndihmuar në furnizimin me ushqime të ushtarëve ukrainas, të bllokuar në bazat e tyre në gadishull.

Ai është rrëmbyer në rrugë nga agjentë rusë të sigurisë në Simferopol, më 11 maj të vitit 2014, menjëherë pasi ka marrë pjesë në një demonstratë kundër aneksimit.

Ai është shfaqur në paraburgim në Moskë disa ditë më vonë dhe është akuzuar për vënien e zjarrit në zyrat e Partisë Rusia e Bashkuar. Ai po ashtu është akuzuar për komplot për të hedhur në erë monumentin e Leninit në Simferopol.

Prokurorët kanë treguar prova të pamjaftueshme për të mbështetur akuzat kundër Sentsovit dhe dëshmitari kryesor, Hennady Afanasyev, ka tërhequr dëshminë e tij inkriminuese, duke thënë se e ka dhënë nën presion.

Gjykimi i tij në qytetin Rostov-On-Don të Rusisë ka përfunduar me thirrjen e prokurorëve për 23 vjet burgim.

Nga tre pengjet ndërkombëtare të Putinit, Nadia Savchenko është më e famshmja.

Moska ka thënë se Savchenko është vrasëse. Ajo nuk është. Ajo është fajtore sepse ka rrezikuar jetën e saj për pavarësinë e vendit të saj.

Si pilote e parë ushtarake e Ukrainës, Savchenko ka qenë vullnetare për të luftuar separatistët pro-rusë në Donbas. Ajo ka qenë në mision për të shpëtuar ushtarët ukrainas kur është kapur nga separatistët pranë fshatit Metalist në Luhansk, diku në mes të qershorit 2014.

Më 19 qershor, separatistët kanë postuar një video të saj duke u marrë në pyetja, derisa qëndron me duar të lidhura në një gyp metalik.

Ajo ndodhet në paraburgim në Rusi dhe është akuzuar për përfshirje në vdekjen e dy gazetarëve rusë, të cilët janë vrarë në një sulm me mortaja, dhe pastaj për kalimin e paligjshëm të kufirit me Rusinë.

Avokatët e Savchenkos thonë se të dhënat në telefonin e saj mobil dhe dëshmitë me video tregojnë se ajo ka qenë në robëri kur gazetarët janë vrarë. Ajo përballet me 25 vjet burg nëse shpallet fajtore.

Përveçse janë viktima të rrëmbimit nga Putini, Kohver, Sentsov dhe Savchenko kanë edhe diçka tjetër të përbashkët.

Ata të gjithë kanë lindur në Bashkimin Sovjetik dhe janë bërë qytetarë besnikë, të suksesshëm dhe produktivë të vendeve të tyre të pavarura.

Për Putinin, i cili e cilëson tragjedi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, kjo është e mjaftueshme për një krim.

Por, për pjesën tjetër të njerëzve, ata duhet të konsiderohen pengje që janë rrëmbyer ilegalisht nga një shtet gjithnjë e më i rrezikshëm.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG