Ndërlidhjet

Gjatë sezonit veror, 42 incidente nga armëmbajtja pa leje


Ilustrim
Ilustrim

Në vitin 2010, në Kosovë është miratuar një ligj me të cilin sanksionohet armëmbajtja pa leje, konform konventave të ndryshme evropiane rreth përdorimit të armëve të zjarrit, thonë autoritetet e rendit.

Vitin e kaluar, 39 persona kanë vdekur si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, derisa 165 raste të tentim-vrasjes janë lajmëruar në polici.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2014 janë konfiskuar gjithsej 1328 armë pa leje nga duart e qytetarëve.

Zoti Hoxha shton se gjatë këtij viti, si rezultat i festimeve të ndryshme gjatë sezonit të verës, ka pasur raste më të shpeshta të përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit.

Numri i armëve të konfiskuara nëpër ahengje të ndryshme është 51, derisa numri i incidenteve ka arritur në 42 raste.

"Si rezultat i festimeve të ndryshme kemi edhe raste më të shpeshta të perdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit, e që kjo paraqet rrezik potencial për jetën e qytetarëve tanë".

"Policia e Kosovës që nga muaji prill ka të përgatitur planin operacional lidhur me sezonin veror 2015, ku ka paraparë ndërmarrjen e të gjitha masave proaktive dhe aktive në funksion të zbatimit të ligjit dhe krijimit të një ambiemti të qetë dhe të sigurt për të gjithë, duke përfshirë këtu edhe sigurinë gjatë pjesëmarrjes nëpër aktivitete të ndryshme gazmore si dasmat apo ahengje".

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Destan Mustafa, ushtrues detyre i udhëheqësit të Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Kosovë janë të pajisur me leje për armë për gjueti dhe sport 6.500 persona.

"Ligji për armët i cili është në fuqi që nga viti 2010 përcakton lejet për armët për gjueti dhe sport dhe 6.500 leje të tilla janë lëshuar. Ndërkaq, ligji i ri për armët tashmë ka përfunduar dhe është në pritje të nënshkrimit nga presidentja e Kosovës. Kjo do të bëhet me një udhëzim administrativ të brendshëm nga Ministria e Punëve të Brendshme".

Zoti Mustafa flet edhe për ata të cilët kanë të drejtë të mbajnë armë.

"Personat që kanë të drejtë të mbajnë armë janë ata të cilët rekomandohen nga institucionet e zbatimit të ligjit, për lëshimin e lejes për mbajtjen e armës. Ata e konsiderojnë nëse janë të rrezikuar".

Sidoqoftë, zyrtarë në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, misioni në Kosovë (UNDP), kanë bërë të ditur se janë shkatërruar shumë armë pa leje, falë programit "Iniciativa për kontroll të armëve të vogla në Kosovë’’, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG