Ndërlidhjet

Të dashuruarit në punën e tyre – mbesin në Afganistan


Ilustrim
Ilustrim

Përkundër tërheqjes së pjesës më të madhe të forcave ndërkombëtare nga Afganistani, një numër i vogël i personave të jashtëm, synojnë të mbeten në këtë vend të cilin ata tashmë e konsiderojnë shtëpi të tyre.

Lufta e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan ka bërë që një valë e madhe e diplomatëve, punonjësve ndërkombëtarë dhe kontraktorëve të sigurisë, të arrijnë në kryeqytetin Kabul.

Por, ky qytet pothuajse është zbrazur nga të jashtmit, pasi një numër i madh i ndërkombëtarëve u larguan nga Kabuli, në fund të vitit 2014.

Megjithqë ka shqetësime se tërheqja e ushtarëve ndërkombëtarë do të krijoj një vakuum të sigurisë, që mund të çoj në rritje të numrit të sulmeve vdekjeprurëse, një pjesë e vogël e shtetasve të jashtëm kanë vendosur të mbesin në këtë qytet.

Në vazhdim i paraqesinm tre individë, që Kabulin e kanë zgjedhur për vendbanim të përhershëm të tyre.

Nancy Hatch Dupree
Nancy Hatch Dupree

Nancy Hatch Dupree

Për 50 vite, jeta e shtetases amerikane, Nancy Hatch Dupree, ishte për së afërti e lidhur me Afganistanin. Ajo kishte arritur në këtë vend për të parë herë në vitin 1962 dhe e ka parë përmbysjen e monarkisë, grushtshtetin komunist, okupimin sovjetik, ngritjen dhe rënien e regjimit taliban, invazionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe tërheqjen ndërkombëtare në vitin 2014.

Zonja Dupree, e lindur në Shtetet e Bashkuara, e kishte takuar të riun, Osama bin Laden, e kishte shkruar librin e parë turistik për Afganistanin në gjuhën angleze dhe së bashku me bashkëshortin e saj të ndjerë, Louis Dupree, arkelog dhe antropolog i njohur amerikan, kishte udhëtuar në gjithë Afganistanin.

Gjatë luftës civile në vitetet e 90-ta, ajo kishte ndihmuar në ruajtjen e thesarit të muzeut kombëtar në Kabul dhe i kishte ndihmuar refugjatët afganë në Pakistan. Pas përmbysjes së talibanëve, ajo ishte kthyer dhe e ka hapur Qendrën për Afganistanin në Universitetin e Kabulit.

Tash, në moshën 87 vjeçare, ajo e ka ulur intensitetin e punës së saj për shkak të çështjeve shëndetësore. Por, ajo thotë se nuk synon të largohet nga Kabuli, qyteti të cilin ajo e përshkruan si “përplot me shpirt dhe energji”.

“Jam e lidhur këtu për një kohë të gjatë”, thotë Nancy Dupree, të cilën shumë vetë e njohin si “gjyshja në Kabul”. Ajo shpjegon se bashkëshorti i saj kishte thënë se ky vend “është sikur virusi, nga i cili nuk mund të liroheni dhe ju gjithnjë ktheheni këtu”.

“Në Kabul çdokush është i interesuar për mua”, thotë Dupree, dhe shton se “është mirë për egon time, pasi është gjë e bukur të përfshihesh dhe që njerëzit të mendojnë se ju keni diçka për të thënë... këtë nuk do ta kisha në Shtetet e Bashkuara”.

Përkundër konfliktit që po vazhdon, zonja Dupree nuk e ka humbur optimizmin.

“Të rinjtë dhe femrat e kanë gjetur zërin e tyre”, thotë Dupree.

Philippe Gauffreteau
Philippe Gauffreteau

Philippe Gauffreteau

I lindur në Francë, agronomi Philippe Gauffreteau, kishte ardhur në Kabul në vitin 2002, pak muaj pas invadimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Ai i kishte udhëhequr projektet e agrikulturës të financuara nga Qeveria e Francës në gjithë Afganistanin, duke u përpjekur ta ripërtrijë këtë sektor të rëndësishëm , pas disa vitesh të luftës dhe të thatësisë.

“Miqtë e mi nuk mund ta kuptojnë përse unë punoj në Afganistan”, thotë Gauffreteau, i ulur në një kopsht të një hoteli të vogël dhe shton se “ata mendojmë se jam i krisur, por më pëlqen jeta këtu”.

Ai nuk planifikon të pensionohet ose të largohet nga Afganistani.

“Është vend i vështirë”, e pranon zoti Gauffreteau, duke theksuar se “tash është vendi im ku kam zgjedhur të jetoj”.

Ai shprehet se ndjehet mirë në Afganistan dhe se “afganët janë ballafaquar me situatë të keqe për një kohë të gjatë”. Ai thotë se “nëse mund të ndihmoj, unë do ta bëjë këtë”.

Philippe Gauffreteau, 65 vjeçar, është i përfshirë në prodhimin e drithërave dhe menaxhimin e tokës. Ai i këshillon fermerët afganë se si ta shfrytëzojnë tokën e tyre dhe burimet e ujit më së miri dhe si ta shtojnë prodhimin e tyre.

Por, sipas tij, sektori i bujqësisë në Afganistan, që është forcë shtytëse e ekonomisë, ende duhet të bëjë hapa të rëndësishëm gjatë viteve të ardhshme. Për këtë ngecje ai i fajëson planifikimin e dobët dhe keqmenaxhimin nga ana e qeverive të jashtme.

“Çfarëdo gabimi që kemi mundur ta bëjmë, ne e kemi bërë në Afganistan”, thotë Gauffreteau dhe shton se “vendet perëndimore garonin kundër njëra-tjetrës dhe më tepër ishte për atë se sa më shumë para të shpenzohen, se sa për zhvillim të qëndrueshëm”.

Megjithatë, ai shprehet optimist për të ardhmen. “Tash e keni këtë gjeneratë të re, që është mirë e arsimuar dhe dëshiron të mbetet në vendin e vet dhe të ndihmoj në ripërtritjen e tij”.

Hiromi Yasui
Hiromi Yasui

Hiromi Yasui

Hiromi Yasuio është nga Japonia, dhe për të parën herë në Kabul erdhi në vitin 1993, si fotoreportere, për ta mbuluar luftën civile shkatërruese.

Tri vite më vonë ajo u largua nga Kabuli, pasi talibanët e morën kontrollin në Afganistan. Në vitin 2001, pas përmbysjes së talibanëve, ajo u kthye dhe prej atëherë jeton në Afganistan.

Në vitin 2002 ajo ishte njoftuar me burrin e saj të ardhshëm, me të mcilin “takoheshin fshehtas”.

Por, për shkak të tabuve kundër marrëdhënies jashtëmartesore, ata së shpejti u bashkuan. Për më tepër, Yasui kaloi në fenë myslimane, megjithqë pranon se “nuk është myslimane shumë e mirë”.

Ajo e kishte hapur një hotel në qytetin Bamijan, në pjesën qendrore të Afganistanit, dhe më vonë e ka hapur një sushi restorant japonez, në qendër të Kabulit, që është i popullarizuar ndër personat e jashtëm, që jetojnë në kryeqytet.

“Kjo tash është shtëpia ime, dhe çdo herë që shkoj në Japoni, më mungon shtëpia ime në Kabul”, thotë Hiromi Yasui.

Kabuli është shumë larg qytetit të saj Kjoto, për të cilin thotë se është “paqësor dhe i relaksuar” në krahasim me Kabulin“e krisur”.

Tërheqja e ndërkombëtarëve ka ndikim tejet negativ në biznesin e saj. Në restorantin e saj ka shumë pak klientë, ndërsa hoteli i saj kryesisht është i zbrazët.

“Ndonjëherë më mungon Japonia, familja ime, miqtë dhe veçanërisht ushqimi, por unë nuk do të largohem nga këtu”, thotë Hiromi Yasui.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG