Ndërlidhjet

Pse aleanca mes talibanëve dhe Al-Kaidës mund të ndihmojë IS-in?


 Ayman al Zawahri (Foto nga arkivi)
Ayman al Zawahri (Foto nga arkivi)

Pas pothuajse një vit heshtjeje, lideri i Al-Kaidës, Ayman al-Zawahri ka publikuar një audio-mesazh, duke u betuar për aleancë me liderin e ri të talibanëve Mullah Akhtar Mohammad Mansur.

Mesazhi i Zawahrit, në shumë mënyra është përgjigje, duke hedhur poshtë pretendimet e grupit militant Shteti Islamik, se ka krijuar “kalifatin” në tokat që kontrollon në Siri dhe Irak.

Me shpalljen e një “kalifati” të tillë në qershorin e vitit 2014, lideri i Shtetit Islamik, Ebu Bekr el-Baghdadi, një rival i vjetër i Zawahrit, ka konfirmuar se ai refuzon autoritetin e Al-Kaidës dhe ka kërcënuar se do të marrë dominimin që ka Al-Kaida në lëvizjen xhihadiste në mbarë botën.

Por, në zotimin e tij për aleancë me Mullah Mansur, Zawahri nuk e përmend fare Baghdadin, apo Shtetin Isalik dhe “kalifatin” e tyre.

Ai i referohet Mansur si “Amir al-Mu’amin”, apo udhëheqës i besimtarëve - mënyra e njëjtë se si i referohen militantët Baghdadit.

Lideri i Al-Kaidës është zotuar se grupi ekstremist do të ndihmojnë talibanët në përpjekjet e tyre për krijimin e “kalifatit”, duke u bazuar në disa kritere.

Ne zotohemi për besnikëri ndaj jush për të krijuar kalifatin islam, i cili ngrihet mbi zgjedhjet e myslimanëve, për përhapjen e drejtësisë, i cili ofron siguri, eliminon padrejtësitë dhe kthen të drejtat. Kjo bëhet duke ngritur flamurin xhihad”, thotë Zawahri, duke lënë të kuptohet se “kalifati” i shpallur nga Shteti Islamik, jo që nuk përmbushë këto kritere, por madje as që ekziston.

Andaj nëse “kalifati” nuk ekziston, atëherë Baghdadi e ka të vështirë të jetë “kalifi”.

Lideri i Al-Kaidës e përshkruan zotimin e tij për besnikëri ndaj Mansur si vazhdimësi “e rrugës së xhihadit” të liderëve të Al-Kaidës, “përfshirë edhe themeluesin e Al-Kaidës në Irak, Abu Mus’ab al-Zarqawi, dhe pasardhësin e tij Abu Hamza al-Muhajir.

Baghdadi, të cilin Zawahri e konsideron se është larguar nga rruga e Al-Kaidës, nuk e përmend fare.

Gjë e mirë për Mullah Mansur?

Zotimi i Zawahrit për besnikëri ndaj Mullah Mansur, mund t’i japë liderit të ri të talibanëve më shumë besueshmëri, sipas një zyrtari afgan të inteligjencës. Zgjedhja e Mansur nuk është pranuar nga shumë talibanë, përfshirë edhe familjen e ish-liderit Mullah Omar.

Por sa do t’i ndihmojë lideri i Al-Kaidës Mansurit?

“Zotimi i Zawahrit do t’i japw legjitimitet Mansurit, por jo dhe shumë”, thotë Tore Hamming, analist i grupit MENA, të cilët analizojnë militantët islamikë.

Përderisa disa e shohim mbështetjen e Al-Kaidës si një tregues se ata duan të qëndrojnë me talibanët, duke mos dashur të ndërrojnë aleatë, si për shembull Shtetin Islamik, zotimi i Zawahrit gjithashtu e bën më të vështirë që zërat kritikë brenda Këshillit të talibanëve, që t’i bëjnë presion Mansurit, pasi Al-Kaida e konsideron atë si lider të duhur për talibanët, ka thënë Hamming për Radion Evropa e Lirë.

Keq për Al-Kaidën?

Zotimi i liderit të Al-Kaidës për Mansurin mund të jetë lajm i mirë për të dhe deklarata se lideri i ri i talibanëve është “lideri i besimtarëve” mund të mos jetë lëvizje pozitive për Al-Kaidën.

Nuk është hera e parë që lidershipi i Al-Kaidës shpreh besnikërinë ndaj talibanëve, në mënyrë që të zhvlerësojnë Baghdadin “si kalif”. Verën e kaluar, Al-Kaida publikoi një mesazh të vjetër të ish-liderit Osama bin Laden, ku shprehej aleanca me Mullah Omarin, duke lënë të kuptohet se Baghdadi është larguar nga Al-Kaida.

Zawahri, thjesht, nuk beson se Al-Kaida ka legjitimitet të duhur dhe nuk ka forcë të duhur për momentin, për të ndërmarrë ndonjë vendim tjetër", thotë Hamming.

Zgjedhja tjetër e liderit të Al-Kaidës është që të bëjë aleancë me rivalin e tij, Baghdadi, gjë e cila për Zawahrin është e paimagjinueshme.

“Problemi që shfaqet në deklarimin e kësaj aleance ndaj Mullah Mansur është se Manusr gjithmonë është shfaqur më shumë si politikan”, thotë Richard Barrett, zëvendëspresident i grupit Soufan.

Gjë e mirë për Shtetin Islamik

Zotimi për besnikëri i Zawahrit për liderin e talibanëve, mund të ndihmojë Shtetin Islamik.

Pak kohë pasi u publikua mesazhi i Zawahrit, mbështetësit e Shtetit Islamik filluan menjëherë ta ngacmonin atë, duke thënë se lideri i Al-Kaidës, de facto i ka shpallur aleancë Shërbimit të inteligjencës së Pakistanit.

Për Shtetin Islamik, në njëfarë forme, pranimi se lideri i talibanëve Mullah Omar kishte vdekur në vitin 2013, ka qenë “dhuratë”, thotë analisiti J.M. Berger.

Çuditërisht Zawahri nuk i është referuar fare lajmit se Mullah Omar kishte vdekur në vitin 2013 në Karaçi, lajm të cilin e kishin konfirmuar vetë talibanët në korrik të këtij viti.

Ai thjesht e ka quajtur vdekjen e Omarit “si humbje për ne, për myslimanët në mbarë botën dhe për muxhahedinët”.

Lideri i talibanëve, përmes një deklarate për media mirëpriti aleancën me Al-Kaidën.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG