Ndërlidhjet

Prishtina insiston në marrëveshje për të gjitha çështjet ose asnjërën


Isa Mustafa, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, foto nga arkivi.
Isa Mustafa, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, foto nga arkivi.

Prishtina dhe Beogradi presin që t’i përmbyllin disa nga temat tashmë të negociuara në dialogun politik dhe teknik me marrëveshje të reja deri në fund të këtij muaji.

Takimi në nivelin teknik, pritet të mbahet më 24 gusht, kurse një ditë pas është paralajmëruar të mbahet edhe takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiq.

Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po përpiqen që t’i finalizojnë marrëveshjet për kodin telefonik të Kosovës, pastaj atë për energjinë, që përfshinë edhe distribuimin në veri të Kosovës si dhe marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe heqjen e barrikadës të quajtur “parku i paqes”, mbi urën e lumit Ibër.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se një prej temave më të vështira mbetet ajo e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Tash për tash, ai nuk pret që çështja e këtij Asociacioni të përmbyllet, por të paktën të arrihen parime të reja të marrëveshjes.

“Ka akoma çështje të hapura. Ne insistojmë në atë, dhe qëndrojmë që Asociacioni të mos ketë asnjë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë në Kosovë, por të gjendet mënyra se si Asociacioni do të përkrahë, ndihmojë zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar Mustafa.

Në anën tjetër, Beogradi kërkon kompetenca ekzekutive për Asociacionin Serb, për çka edhe nuk është arritur deri më tani finalizimi i marrëveshjes.

Qeveria Mustafa po ballafaqohet edhe me presionin e brendshëm politik nga opozita kundër themelimit të këtij trupi.

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka thënë se veprimet që do të kundërshtojnë Asociacionin Serb do të jenë radikale.

“Do të jemi radikal në kundërshtimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Nëse një gjë e tillë realizohet dhe kalon atëherë është vështirë të mendohet një moment më i dëmshëm për pavarësinë e Kosovës që nga shpallja e saj”, ka thënë Çaushi.

Sa u përket temave tjera të dialogut me Beogradin, kryeministri Mustafa nuk pret që të ketë shumë probleme.

Madje, sipas tij, tani mbetet vetëm te pala serbe nëse do të jetë e gatshme për marrëveshje, pasi që për palën nga Kosova ai i konsideron negociatat për kodin telefonik dhe energjinë, si të konsumuara.

“Për Kodin telefonik, e cila është kryer nëse nuk është penduar dikush, pastaj do të kemi çështjen e energjisë dhe atit ë Urës mbi lumin Ibër. Ne i kemi dhënë qëndrimet tona edhe zonjës Federica Mogherini që ne dëshirojmë që vetëm si pako ta arrijmë këtë. Jo që të nënshkruhet si pako, do të nënshkruhen marrëveshjet veç e veç, por jo që njëra prej marrëveshjeve të mbetet për më vonë, sepse pastaj dyshohet se mund të stërzgjatet dhe vështirë të arrihet më pastaj”, ka deklaruar Mustafa.

Kohë më parë, edhe kryeministri i Serbisë, Aleksanadar Vuçiq kishte paralajmëruar mundësinë që temat e hapura në dialogun me Prishtinën të përmbyllen deri në fund të muajit gusht.

Liderët politik në Prishtinë dhe Beograd e pranojnë që Bashkimi Evropian ka shtuar presionet mbi të dyja palët pasi që përparimet në këtë dialog po shihen edhe si mundësi për të lëvizur përpara në proceset integruese evropiane.

Po ashtu, Brukseli inkurajon Prishtinën dhe Beogradin që me normalizimin e marrëdhënieve, do të mundësohej edhe zbatimi i projekteve zhvillimore në rrafshin rajonal.

Pas takimeve që do të kenë delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, pritet që të mbahet edhe takimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me projektet e përbashkëta të rrjetit bazik që lidh kryeqytetet, bizneset dhe infrastrukturën e këtyre vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG