Ndërlidhjet

Në Azerbajxhan, gazetarët “mund t’i rrahë gjithkush”


Ilustrim
Ilustrim

Gazetarët e pavarur dhe të opozitës në Azerbajxhan thonë se rrahja për vdekje e gazetarit Rasim Aliyev tregon se gazetarët që kritikojnë qeverinë, mund të sulmohen pa rrezikun e ndëshkimit.

“Gjithkush mendon se gazetarët mund të trajtohen ashtus siç i trajton regjimi”, ka thënë gazetari hulumtues, Shahveled Chobanoglu, në funeralin e Aliyevit më 9 gusht.

“Është krijuar ndjenja se gazetarët e pavarur dhe të opozitës mund të rrihen lirisht. Kur njerëzit shohin se policia i rreh gazetarët dhe mbetet e pandëshkuar, ata e konsiderojnë të mundur përdorimin e forcës kundër shtypit”, ka shtuar Chobanoglu.

Para se të vdiste, Aliyev thjesht ka kritikuar futbollistin Cavid Huseynov. Hetuesit kanë arrestuar një kushëri të Huseynovit dhe kanë thënë se të dyshuar të tjerë për përfshirje në rrahjen fatale, do të arrestohen së shpejti.

Gjatë sulmit, i cili ka ndodhur në një zonë komerciale, nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga kamerat e sigurisë, Aliyev është sulmuar nga një grup burrash, është rrëzuar në tokë dhe është goditur për rreth 40 sekonda.

Aliyev ka qenë gazetar i njohur, i cili më parë ka punuar për Lirinë dhe Sigurinë e Reporterëve, njërën nga organizatat kryesore për lirinë e mediave në Azerbajxhan, derisa ajo është detyruar të mbyllet vitin e kaluar.

Qysh atëherë, Aliyev, i cili nuk është i afërm me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka punuar si gazetar i pavarur.

Si shumë gazetarë të tjerë të pavarur në Azerbajxhan, Aliyev është përballur me disa sulme për punën e tij. Në vitin 2013, ai është rrahur nga policia, derisa ka qenë duke mbuluar një marshim protestues në Baku.

Por, ai kurrë nuk e ka imagjinuar se kritikat e tij ndaj një futbollisti, do t’i kushtojnë me jetë.

Para se të vdiste, Aliyev ka dhënë një intervistë nga spitali për Televizionin Meydan. Ai ka thënë se gjithçka ka nisur kur ka kritikuar lojtarin Huseynov për sjellin e tij, pasi ekipi i tij Qabala ka mundur ekipin e Qipros, Apollon, më 6 gusht në Qipro.

Huseynov është pyetur nga një gazetar se përse ka valëvitur flamurin turk pas lojës, ndërsa është përgjigjur duke bërë një gjest të pahijshëm me dorë dhe duke thënë se Azerbajxhani dhe Turqia kanë qenë vende mike.

Aliyev ka shkruar në faqen e tij në Facebook se nuk do që “dikush i pamoralshëm, i paturp dhe që nuk është në gjendje ta kontrollojë veten e tij” ta prezantojë atë në fushat e futbollit evropian.

Klubi i Huseynovit, Qabala, ka shprehur keqardhje për vrasjen e gazetarit dhe e ka përjashtuar lojtarin nga ekipi i tij i parë derisa të qartësohet rasti. Vetë Huseynov nuk ka bërë ndonjë koment publik.

Zyra e Presidentit të Azerbajxhanit ka thënë se incidenti është kërcënim për lirinë e shprehjes dhe informacionit.

Por, grupet ndërkombëtare të të drejtave, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar vazhdimisht situatën e të drejtave të njeriut dhe lirinë e shtypit, nën udhëheqjen e presidentit Aliyev.

Khadija Ismayilova, gazetare hulumtuese dhe kontribuese në Radion Evropa e Lirë, e cila ka raportuar për korrupsionin brenda Qeverisë Aliyev, aktualisht është në gjyq për evazion fiskal, keqpërdorim të pushtetit dhe akuza të tjera.

Bashkimi Evropian dhe 12 organizata për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Indeksi i Censurës dhe Qendra Amerikane PEN, kanë bërë thirrje për hetime transparente të vrasjes së gazetarit Rasim Aliyev.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG