Komandanti i deritanishëm i Forcave Paqeruajtëse të KFOR-it, në Kosovë Francesco Paolo Figliuolo, i ka dorëzuar të premten detyrën, gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta.
Ndërrimi i komandës së KFOR-it, u bë në një ceremoni, kur morën pjesë përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
Komandanti i KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo, në fjalimin e tij, iu është falënderuar kosovarëve për mikpritjen që u kanë bërë forcave të NATO-s.
Ai ka thënë se siguria në vend është rritur falë punës së institucioneve të Kosovës dhe si rezultat, forcat e KFOR-it janë 10 herë më të vogla se në vitin 1999.
“Ka qenë një vit i progresit dhe dua të shprehi vlerësimet e mia pozitive për punën dhe forcën shtytëse të njerëzve në këtë institucion. Sot, KFOR është më i vogël se sa që ishte në vitin 1999 dhe siguria në Kosovë është 10 herë më e mirë. KFOR ka qenë e përkushtuar për paqe dhe siguri në Kosovë”, ka theksuar ai.
Si një forcë paqeruajtëse nën komandën e NATO-s, forca shumëkombëshe e KFOR-it është vendosur në Kosovë që nga 12 qershori i vitit 1999 pas fushatës paraprake ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
Fillimisht kjo forcë mblidhte në vete rreth 50 mijë ushtarë, kurse sot thuhet se ka jo më shumë se 5 mijë sosh.
Ky zvogëlim i trupave, sipas komandantit të KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo, tregon për hapat pozitiv që janë bërë në rajon dhe Kosovë në fushën e sigurisë dhe stabilitetit.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka theksuar se ndërrimet e komandave të KFOR-it në Kosovë, shënojnë një simbolikë të fuqishme dhe tregojnë përkushtimin e paqeruajtësve për këtë vend.
“Partneriteti ynë është rruga e suksesit. Ky partneritet e ka ndihmuar Kosovën në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbi standardet e NATO-s dhe po ky partneritet i ka ndihmuar kësaj Force të përmbushë kapacitetet e saj operacionale, duke e bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës të aftë për t’u shndërruar në një forcë mbrojtëse, që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës”, ka theksuar Jahjaga.
Presidentja Jahjaga duke folur për luftën anti-terrorizëm ka theksuar se Kosova bashkë me vendet e rajonit janë të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit si kërcënim global.
“Kjo vendosmëri e jona e bën Kosovën një partner të NATO-s dhe të mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë në botë, në kohë sfidash globale, kur na duhet një përgjigje e përbashkët ndaj cilit do kërcënim ekstremist e radikal për sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e më gjerë".
"Partneriteti ynë në rajon, në fushën e sigurisë, do të pengojë ndikimet radikale mbi qytetarët tanë dhe do të ndërpresë aktivitetet terroriste, duke e bërë gjithë Ballkanin, një vatër të stabilitetit dhe të sigurisë”, ka shtuar Jahjaga.
Presidentja Jahjaga e ka nderuar Komandantin e deritanishëm të KFOR-it, Francesco Paolo Figliuolo me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Francesco Paolo Figliuolo ka qenë komandat i KFOR-it nga muaji shator i vitit të kaluar.