Nëntë persona janë arrestuar kurse ndaj 27 të tjerëve janë ngritur kallxime penale nën dyshimin për pjesëmarrje në aktivitete ushtarake jashtë vendit, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë pas mbylljes së aksionit anti-terrorist që kishte nisur në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte.
Aksioni është realizuar në Kumanovë, Shkup, Gostivar dhe Strugë me ç'rast janë bastisur disa objekte fetare për të cilat besohet se nuk janë nën kontrollin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
“Ministria e Punëve të Brendshme herët në mëngjes ka filluar me realizimin e fazës finale të operacionit „Qelia“. Gjatë aksionit 9 persona janë arrestuar kurse 27 të tjerë për momentin janë të pakapshëm dhe sipas të dhënave tona operative rreth 20 prej tyre ndodhen në vatrat e lutës, kryesisht në Siri".
"Gjatë aksionit policor janë konfiskuar 38 kompjuterë, 18 laptopë, 18 tabletë, 119 telefona celularë dhe shumë pajisje tjera teknike që do të shërbejnë si prova materiale“, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov duke shtuar se hetimet kundër këtij grupi kishin nisur që nga shtatori i vitit të kaluar pas informacioneve mbi veprimtarinë e jashtëligjshme të tyre brenda dhe jashtë territorit të Maqedonisë.
“Në bazë të dëshmive të siguruara, pranë Prokurorisë Publike për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ngritur kallzime penale kundër 35 personave nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova dhe Struga, të moshës nga 19 deri 45 vjeç".
"Ata akuzohen për pjesëmarrje në ushtritë e huaja, formacionet paraushtarake dhe policore. Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike do të vazhdojë edhe në të ardhmen me aktivitete të ngjashme për zbulimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë me qëllim zbardhjen e plotë të rastit“, ka deklaruar ministri Çavkov duke konfirmuar edhe informacionin mbi arrestimin e Rexhep Memishit, imamit të një xhamie të Shkupit, e cila është jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
Kreu i MPB-së tha se personi në fjalë dyshohet të jetë një nga ideologët kryesor të rekrutimit të personave nga Maqedonia për në luftërat në Siri dhe Irak.
Ministri Çavkov për herë të parë ka publikuar edhe shifra mbi shtetasit e vrarë dhe ata që marrin pjesë në luftimet atje.
“Sipas informacioneve tona 16 persona kanë humbur jetën në vatrat e luftës në Siri dhe Irak, kurse numri i atyre që marrin pjesë apo që kanë marrë pjesë, sillet në rreth 130 persona“, u shpreh Çavkov.
Të arrestuarit gjatë ditës janë dërguar në Gjykatën Penale të Shkupit. Sipas Kodit Penal të Maqedonisë pjesëmarrja e shtetasve në operacione ushtarake jashtë vendit, dënohet me burg prej më së paku 5 vjet. Dënime me burg parashihen edhe për ata që nxisin apo rekrutojnë persona të tjerë për pjesëmarrje në aktivitete luftarake jashtë vendit.