Ndërlidhjet

Qarkullim i rënduar në pikëkalimet kufitare Kosovë - Serbi


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Edhe gjatë këtij viti, po vështirësohet komunikacioni rrugor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njoftojnë organet e rendit.

Mërgimtarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës, dhe vijnë për pushime në vendlindje, presin për të kaluar kufirin rreth një orë.

Zakonisht, në dy pikëkalimet kufitare, Merdare (Podujevë) dhe Dheu i Bardhë (Gjilan), pritjet dhe kolonat janë më të gjata, thonë edhe zyrtarë të Doganave të Kosovës.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, megjithatë tregon se autoritetet doganore kanë lehtësuar procedurat për qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, që vijnë për pushime në Kosovë, por pritjet më të gjata janë në hyrje nga Serbia në Kosovë, për shkak të autoriteteve serbe.

“Gjithmonë kemi ankesa nga qytetarët, por nga fluksi i madh i qytetarëve dhe kontrolleve edhe nga pala serbe, të cilat shpesh edhe vonohen, ndodh që të ketë edhe këso lloj pritjesh".

“Por, nga ana jonë (Dogana e Kosovës) , lidhur me bashkatdhetarët ne kemi procedura shumë më të shpejta dhe më të lehta, që t’i mundësojmë qarkullim sa më të lehtë, sepse e kuptojmë edhe lodhjen e tyre që kanë bërë me mijëra kilometra udhëtim”, tha Stavileci.

Në pikat kufitare Kosovë - Serbi, janë të pranishëm edhe zyrtarë të Ministrisë së Diasporës.

Lorik Pustina, udhëheqës i Divizionit për Komunikim në këtë ministri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se kolonat nuk janë shumë të gjata, por edhe pritjet eventuale bëhen nga puna e ngadalshme dhe neglizhenca e autoriteteve serbe.

“Sa i përket kufirit Kosovë - Serbi, në të gjitha pikat kufitare i kemi zyrtarët tanë, ata po tregojnë se nuk ka ndonjë pritje shumë, shumë të gjatë, por edhe ato pritje që po shkaktohen, po bëhen nga pala serbe ekskluzivisht”, thekson Pustina.

Edhe organet e rendit në një komunikatë për media kanë njoftuar se në disa pikëkalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, gjatë vikendit janë krijuar përsëri kolona me pritje prej kohëzgjatjeve të ndryshme.

Në komunikatë thuhet se në të gjithë pikëkalimet, sidomos në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, për hyrje në Kosovë kolonat dhe pritjet janë më të gjata se sa daljet për në Serbi.

Autoritetet e rendit në Kosovë, po punojnë me numër të shtuar të personelit policor në pika kufitare që mërgimtarët t'ju shmangen pritjeve të gjata, dhe kalim të shpejtë të kontrollit kufitar.

Megjithatë, Policia e Kosovës ka udhëzuar të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë në drejtim të Serbisë, për të shkuar në Evropën Perëndimore, që të shfrytëzojnë vendkalimin kufitar në Mutivodë, në drejtim të Medvegjës, dhe Muqibabë (Gjilan), për t’i shmangur pritjet e gjata.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG