Ndërlidhjet

Fried: Rusia i kundërshton sanksionet sipas modelit leninist


Daniel Fried
Daniel Fried

Koordinatori i Departamentit Amerikan të Shtetit për politikën e sanksioneve, Daniel Fried, thotë se beson se sanksionet perëndimore po e mbajnë në shënjestër agresionin rus, por “durimi dhe vendosmëria” janë kritike për suksesin e tyre.

Sipas tij, masat ndëshkuese ekonomike po e kufizojnë “agresionin” rus dhe po e testojnë vendosmërinë perëndimore për luftën e Ukrainës me separatistët e mbështetur nga Rusia.

“Mendoj se në model të vërtetë Leninist, Qeveria e Rusisë do të ekzaminojë me bajonetë, nëse mund të thuhet kështu, derisa ballafaqohet me rezistencë. Pra, mendoj se sanksionet kanë qenë efektive”, thotë Daniel Fried në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët rusë në mënyrë të vazhdueshme i kanë denoncuar sanksionet perëndimore që në shënjestër e kanë Rusisë dhe kjo nuk është befasuese.

Por, edhe kritikët e Kremlinit i kanë kritikuar ato, duke thënë se masat e ndihmojnë propagandën shtetërore për ta portretizuar Rusinë si të rrethuar me armiq të jashtëm, dhe do ta thellojnë ndjenjën anti-perëndimore në mesin e rusëve, që po ballafaqohen me ekonomi të dëmtuar.

Megjithatë, zoti Fried thotë se nuk kishte opsion tjetër pos të ketë përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë në Ukrainë, nga ana e Rusisë, në mars të vitit 2014, dhe për rolin e Moskës në luftën në pjesën lindore të Ukrainës.

Ai sugjeron se sanksionet perëndimore ndoshta kanë luajtur rol në shtytjen e Moskës për frenim në ambiciet territoriale potenciale të ndërlidhura me Novorosinë, një emërtim i periudhës cariste, që është mbështetur nga presidenti rus, Vladimir Putin, vitin e kaluar, për zgjerim të tokës prej pjesës jugore të Ukrainës e deri në rajonin separatist Transdniester në Moldavi.

Në këtë kuadër, ai thekson:

“Më duket se dështimi për përgjigje mund të ishte interpretuar si dritë e gjelbër për më tepër agresion. A ju kujtohet biseda për Novorosinë dhe pretendimet ekstravagante territoriale që i bënin disa nacionalistë rusë, me gjasë në formë të tullumbaces provuese”, thotë Daniel Fried.

Qeveria e Ukrainës dhe qeveritë perëndimore thonë se Rusia vazhdon ta nxisë konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës, duke dërguar armatim, duke stërvitur dhe duke dërguar forcë njerëzore, për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat pavarësisht dëshmive në rritje për mbështetje të tillë.

Zyrtarët rusë kanë pranuar se ushtarët rusë kanë luftuar së bashku me kryengritësit, por ata këtë e kanë bërë si vullnetarë.

Nga ana tjetër, Rusia e akuzon Uashingtonin dhe Brukselin se e mbështesin “komplotin kundër ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, i cili ishte aleat i Rusisë, për ta zëvendësuar atë me liderë properëndimorë në Ukrainë, me qëllim që Kievi të largohet nga ndikimi rus.

Së fundi, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka shpallur sanksione shtesë të ndërlidhura me Ukrainën, në shënjestër të së cilave janë dhjetëra individë dhe entitete.

Daniel Fried thotë se kjo tregon qartas se “ne po i ndjekim ata që u shmangen sanksioneve”.

“Nuk është sekret se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për ngritjen e çmimit ndaj Rusisë, me sanksione të reja, nëse Rusia angazhohet në agresion shtesë kundër Ukrainës, e veçanërisht nëse Rusia ose separatistët nën kontrollin rus, lansojnë sulme të reja matanë vijës së konfliktit”, thekson Daniel Fried.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG