Ndërlidhjet

Rreziqet dhe përfitimet e marrëveshjes SHBA - Turqi


Ana siriane e kufirit me Turqinë, Tel Abyad
Ana siriane e kufirit me Turqinë, Tel Abyad

Marrëveshja e raportuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë për të krijuar një zonë kufitare, të lirë nga militantët e Shtetit Islamik në veri të Sirisë, ofron rreziqe dhe përfitime.

Luftëtarët e huaj besohet se përbëjnë numrin më të madh të forcave të Shtetit Islamik në Siri, dhe ata mund të depërtojnë lehtësisht brenda këtij vendi, në saje të kontrollit që grupi militant ka përgjatë kufirit verior me Turqinë.

Përfitimi i menjëhershëm do të ishte humbja e kontrollit që militantët kanë në qytetet kufitare siriane Jarablus dhe Al-Rai, përmes të cilave grupi trafikon rekrutët e ri.

Por, si do ta heqin qafësh Shtetin Islamik, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara nga vija kufitare prej 109 kilometrash, mbetet ende çështje e hapur. Plani thuhet se përfshin fuqinë ajrore të kombinuar me forcat tokësore vendëse në territorin sirian, një skenar i ngjashëm me atë të vitit të kaluar në Kobane, i cili rezultoi me sukses.

Në Kobane, Shtetet e Bashkuara shfrytëzuan ndihmën e forcave kurde në Siri.

Në rastin aktual, nuk dihet ende cilat janë forcat vendëse që do të mund të shfrytëzoheshin.

Washingtoni dhe Ankaraja, kanë thënë se janë të gatshme të ndihmojnë grupet e moderuara siriane, por aktualisht ka dallime në interpretim se cilat grupe përkojnë me standardin e të qenit të moderuar.

Shtetet e Bashkuara mbështesin kryengritësit sekularë, siç është Ushtria e Lirë Siriane, kurse Turqia, së bashku me Arabinë Saudite, thuhet të kenë mbështetur grupet fundamentaliste sunite, që kundërshtojnë presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Sekularistët dhe islamistët kanë rivalitetet e veta dhe kanë luftuar mes vete për pushtim territoresh.

Çështja kurde

Çështje e hapur gjithashtu mbetet roli që kurdët e Sirisë do të kenë në këtë plan. Washingtoni u ka ofruar mbështetje, por Ankaraja ka frikë se ata do të mund të krijonin shtetin e tyre kurd në veri të Sirisë.

Kurdët e Sirisë kanë tërhequr vërejtjen tashmë se ata e shohin krijimin e një zone të sigurt në kufi si mundësi për futjen e forcave turke përtej kufirit – diçka që do të transformonte përpjekjet për të shpartualluar Shtetin Islamik në një arenë përplasjesh ndërmjet Ankarasë dhe forcave kurde siriane, të cilat mbështeten nga armiku kryesor i Ankarasë, Partia Punëtore e Kurdistanit [PKK].

Përfaqësues politikë të kurdëve në Siri, të cilët kanë ndihmuar në mposhtjen e Shtetit Islamik në Kobane, kanë paralajmëruar se nëse forcat turke depërtojnë në territorin sirian, ato do të cilësohen si “pushtuese”.

Ted Karasik, një analist gjepolitik, thotë se megjithë reagimet pozitive të vëzhguesve për vendimin e Turqisë, që në mënyrë aktive t’i bashkohet luftës kundër Shtetit Islamik, dilemat mbeten mbi arsyet e vërteta që e kanë shtyrë Ankaranë të marrë një vendim të këtillë.

“Cila është fund-loja e Turqisë në këtë mes? A po përpiqet ta përndjek Shtetin Islamik apo kryengritësit kurdë?”, thotë zoti Karasik.

Deri më tash, Turqia nuk ka dhënë shenja se ka ndërmend të zbarkojë forca tokësore përgjatë kufirit me Sirinë, por përplasjet e fundit ndërmjet Ankarasë dhe kurdëve të Turqisë, lënë të hapur mundësinë që ngjarjet të marrin një drejtim tjetër, në të ardhmen. [a.v.]

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG