Ndërlidhjet

Sektori privat shkel të drejtat e punëtorëve


Të drejtat e punëtorëve në sektorin privat vazhdojnë të shkelen nga punëdhënësit e tyre.

Keqtrajtimi i punëtorëve është shtuar sidomos gjatë sezonit të verës ku lokale të shumta, qendra tregtare, por edhe kompani ndërtimore kanë zgjatur orarin e punës, kurse punëtorët nuk paguhen për punën jashtë orarit.

Këto shqetësime vazhdimisht i ka ngritur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, por së fundi edhe disa deputet të Kuvendit të Kosovës, kanë kërkuar nga ministri i Punës në Qeverinë e Kosovës, që të ketë një kontroll më të rreptë në sektorin privat.

Xhevahire Izmaku, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se me 220 euro pagë mujore, punëtorët po keqtrajtohen duke punuar me vetëm një ditë pushim në dy javë pa ndërprerë.

“Shefat e tyre, konkretishtfjala është për punëtorët në markete të mëdha, kanëmarrë urdhër që ata të cilët nuk dëshirojnë të punojnë duhet të largohen, por të tjerët janë paralajmëruar se do të punojnë dy javë me vetëm një ditë pushim. Po ashtu, orari i tyre i punës është i stërzgjatur deri në orën 24:00. Shumica e punëtorëve nuk kompensohen për punën jashtë orarit”, thekson Izmaku.

Si shqetësim tjetër, Izmaku paraqet edhe mosndërprerjen e punëve të kompanive ndërtimore në temperatura të larta deri rreth 40 gradë celsius, ku rrezikohet shëndeti i punëtorëve.

“Në këtë drejtim shqetësime ka edhe për punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë. Kosova po përballet më temperatura deri në 40 gradë celsius dhe ata pa ndërprerë punojnë.Unë konsideroj se Inspektorati i Punës, ndoshta për shkak të pamundësisë që e ka me numrin e vogël të inspektorëve,nuk është duke e kryer si duhet punën e vet”, thekson Izmaku.

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusf Azemi, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK ),ka thënë se deri sa punëtorët heshtin për diskriminimet, për shkak të vështirësive për të gjetur punë tjetër, autoritet kompetente po heshtin keqtrajtimet për shkak të interesave që kanë me kompanitë private.

Ai ka thënë se 85 për qind e punëtorëve të sektorit privat nuk i gëzojnë të drejtat e dala nga Ligji i Punës dhe Kontrata Kolektive.

“Nëse në Kosovë zbatohet vetëm 15 për qind e Ligjit e të Punës , unë do të isha shumë i lumtur. Ne kemi punëtorë në kompani të ndryshme që nuk e dinë se çka është pushimi vjetor, e mos të flasim për pushim mjekësor“, tha Azemi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, disa herë kanë deklaruar se realizojnë inspektime dhe kompanitë që nuk zbatojnë Ligjin e Punës, gjobiten deri në 35 mijë euro.

Ndryshe në sektorin privat llogaritet se punojnë mbi 220 mijë persona, me një pagë mesatare prej 349 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG