Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, ka mbledhur të mërkurën në një takim Grupin Parlamentar të kësaj partie për të marrë qëndrimet e deputetëve rreth votimit të amandamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale.
Pas takimit, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi është shprehur i bindur që Kuvendi do ta themelojë Gjykatën Speciale.
Ai ka kërkuar nga deputetët e partisë së tij dhe spektrit të gjerë politik, që në harmoni me ratifikimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian vitin e kaluar nga ana e Kuvendit, të themelojnë tani edhe Gjykatën Speciale si pjesë e asaj marrëveshje.
“Diskutuam për domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të themelimit të Gjykatës Speciale sa më shpejtë që është e mundur. Mendoj që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të shkojë në pushim veror pa e përmbyllur këtë proces të rëndësishëm sipas vendimit që ka marrë Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar dhe i zotuar prej shumicës së spektrit politik”, ka thënë Thaçi.
Ndërkohë, edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, por nga radhët e Partisë Demokratike, Xhavit Haliti, ka thënë se Kuvendi duhet ta themelojë Gjykatën Speciale para pushimeve verore, qoftë edhe përmes një seance të jashtëzakonshme.
Sipas tij, mos themelimi i kësaj gjykate do të ishte në dëm të Kosovës. Megjithatë, tash për tash, Haliti nuk është shprehur shumë optimist se është siguruar përkrahja prej dy të tretave të deputetëve për themelimin e kësaj gjykate.
“Partia Demokratike ka bërë përpjekje që të ketë komunikim edhe me partitë tjera, por deri më tash nuk ka ndonjë rezultat i cili do të ishte i rëndësishëm për mediat dhe opinionin, sepse nuk ka ndonjë marrëveshje. Por, shpresoj që gjatë këtyre ditëve disa nga deputetet e PDK-së të cilët nuk e kanë votuar do të binden që ta votojnë amandamentin kushtetues të propozuar më herët”, ka deklaruar Haliti.
Në seancën e 26 qershorit, Kuvendi rrëzoi amendamentin kushtetues të propozuar nga qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale pasi që disa deputetë të PDK-së votuan kundër, abstenuan apo nuk morën pjesë fare në seancë.
Në të njëjtën seancë, themelimin e kësaj gjykate nuk e kishin mbështetur as tri partitë opozitare.
Mirëpo, pas reagimeve ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, ishin zotuar se të njëjtin amendament do ta riprocedojnë për miratim në Kuvend.
Për themelimin e kësaj gjykate nevojiten 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe 14 vota nga radhët e deputetëve të minoriteteve.
Gjykata Speciale për krime lufte, burimin e saj e ka tek raporti i Këshillit të Evropës ku ngriten pretendime e supozime se ish-pjesëtar të UÇK-së kanë kryer krime lufte ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1998 - 2000.