Ndërlidhjet

Ndryshimet kushtetuese bllokojnë vendimmarrjen në Kosovë


Amandamentimi i Kushtetutës po e bllokon punën e institucioneve të Kosovës në vendimmarrje për çështje të rëndësishme, vlerësojnë analistë politik në Prishtinë.

Themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte, apo edhe i Forcave të Armatosura të Kosovës, kërkon nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë.

Mirëpo, procedurat e ndryshimit të kushtetutës mbeten mjaftë sfiduese, pasi që nevojitet një votim i dyfishtë, që kalon përmes votimit prej dy të tretave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretave të deputetëve nga radhët e minoriteteve.

Pas dështimit që në seancën e 26 qershorit të themelojë Gjykatën Speciale, së fundi, Kuvendi i Kosovës vendosi të shtyjë edhe votimin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për shkak të mungesës së marrëveshjes me Listën Serbe, votat e të cilës janë të domosdoshme.

Analisti politik nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Fisnik Korenica thotë se problemet rreth themelimit të Forcave të Armatosura mund të barten edhe në dialogun politik që Kosova po zhvillon me Serbinë në Bruksel.

“Mendoj që Lista Serbe është kundër amandamenteve për FAK-un, sepse Beogradi dëshiron që FAK-un ta shndërrojë në një temë të dialogut dhe përmes saj më pastaj të sigurojë autonomi ushtarake për veriun e Kosovës".

"Një strategjie të tillë të Beogradit, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i është kundërpërgjigjur në mënyrën e duhur duke i vendosur vijat e kuqe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Korenica për Radion Evropa e Lirë.

Në zhvillimet aktuale politike kur vendimmarrja është bllokuar për shkak të mungesës së marrëveshjeve politike, analisti Artan Muhaxhiri thotë se zgjidhja tani mund të pritet vetëm përmes trysnive nga faktori ndërkombëtar.

“Është e pritshme që nga politikanët kosovarë të kërkohen kompromise, sepse kompromise kërkohen edhe prej të gjithë politikanëve ballkanas. Pra, duhet të kemi parasysh që vendet e Ballkanit nuk kanë shumë hapësirë për t’i imponuar agjendat e tyre në raport me kërkesat që vijnë nga partnerë të fuqishëm ndërkombëtar, kështu që edhe këto kompromise që kërkohen janë në vazhdën e projekteve të mëdha që ndërkombëtarët i kanë për Ballkanin dhe nuk ka shumë hapësirë për diskutime”, ka deklaruar Muhaxhiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Nevoja që Kosova t’i përmbushë disa obligime ndërkombëtare është shtruar në disa raste edhe nga vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Sidomos në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale, Mustafa ka thënë edhe sot se çështja do të procedohet në momentin kur të sigurohet shumica e nevojshme në Kuvend për miratim.

“Natyrisht se po punohet me deputetë dhe ne do të shkojmë në Kuvend në momentin kur do t’i sigurojmë votat në mënyrë që kjo të jetë fitore e parlamentit dhe qeverisë, por të jetë fitore edhe e Kosovës sepse me këtë ne e përmbushim një prej detyrimeve tona”, është shprehur kryeministri Mustafa.

Sidoqoftë, me gjithë këto sfida, analistët nuk shohin ende rrezikun e krizës dhe bllokimit të punës së institucioneve që do të çonte vendin në zgjedhje të reja.

Sipas tyre, shpresat tek tejkalimi i bllokadës në vendimmarrje vazhdimisht mbështetet te trysnitë ndërkombëtare si për Gjykatën Speciale për krime lufte apo edhe për arritjen e një ujdie me Listën Serbe kur është në pyetje krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG