Parlamenti i Greqisë të enjten i ka miratuar reformat e ashpra ekonomike të kërkuara nga liderët e Bashkimit Evropian në këmbim për kredinë e re, duke e kapërcyer kështu situatën kur brenda partisë në qeveri në Greqi, Syriza, ka pasur mospajtime të rëndësishme.
Legjislacioni për imponimin e rritjes gjithpërfshirëse të taksave, ndryshimeve në sistemin e pensioneve dhe programet e tjera, ka kaluar në orët e para të mëngjesit të së enjtes me 229 për dhe 64 vota kundër.
Këtë rezultat e shpalli zëvendës-kryesuesi i Parlamentit të Greqisë, Alexis Mitropoulos.
“229 ligjvënës votuan për, kundër votuan 64, ndërsa 6 abstenuan. Rrjedhimisht, legjislacioni ka kaluar me shumicë votash”, tha zoti Mitropoulos.
Miratimin e këtyre masave, pjesërisht, e kanë mbështetur tri parti opozitare proevropaine në Greqi, pasi dhjetëra pjesëtarë të partisë Syriza votuan kundër, përfshirë edhe ministrin e energjisë, Panagiotis Lafazanis, dhe ish-ministrin e financave, Yanis Varoufakis.
Ministri i financave i Greqisë, Euclid Tsakalotos, tha se vendi i tij nuk ka zgjidhje tjetër por t’i pranojë kushtet e ashpra të kreditorëve.
“Më duhet të them se ajo e hënë, në orën 9:30 në mëngjes, pas mbledhjes së eurogrupit, ishte dita më e vështirë në jetën time. E kam bërë një vendim që do të më mundojë për gjithë jetën. Nuk e di a kemi vepruar drejtë. Megjithatë, e di se kemi pasur ndjenjën se nuk kishim zgjidhje tjetër”, tha ministri Tsakalatos, në fjalimin e tij në parlament.
Këto reforma jopopullore janë të nevojshme për t’i larguar pengesat që Greqia t’i fillojë negociatat me kreditorët evropianë, për ta marrë një pako të re të kredisë në vlerë prej 85 miliardë euro.
Kryeministri Tsipras ka shprehur përkushtim për implementimin e reformave.
“Përkushtimi i kësaj qeverie është i tillë që ne do të bëjmë çdo gjë të mundur, me të njejtin pasion me të cilin kemi luftuar në këtë betejë të pabarabartë të jashtme për gjashtë muaj, që në këtë vend të vendosim rregull dhe t’i bëjmë reformat e domosdoshme strukturore”, tha Alexis Tsipras.
Ministrat e financave të eurozonës pritet të mbajnë konsultime për votimin në Parlamentin e Greqisë, meqë tash fillimi i negociatave duhet të miratohet nga parlamentet e disa vendeve.
Bundestagu i Gjermanisë pritet të diskutojë dhe votojë nesër për këtë plan.
Nëse arrihet marrëveshje, zyrtarët evropianë thanë se qeveritë e eurozonës do të kontribuojnë me shumën prej 40 e deri në 50 miliardë euro, Fondi Monetar Ndërkombëtar do ta jepte një pjesë tjetër, ndërsa mbetja do të paguhej nga shitja e pasurive shtetërore të Greqisë dhe nga tregjet financiare.
Para votimit në Parlamentin e Greqisë, në afërsi të ndërtesës në Athinë ka pasur përleshje në një tubim kundër masave greke të kursimit.
Një grup prej 200 të rinjëve kanë hedhur koktej Molotovi dhe gurë kundër policisë, e cila është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe masa të tjera për shpërndarjen e pjesëtarëve të këtij grupi.
Policia tha se dhjetëra protestues janë arrestuar gjatë përleshjeve njëorëshe, që ishte dhuna më e ashpër prej se qeverisjen e mori partia e krahut të majtë e zotit Tsipras, para gjashtë mjuajsh.
Më se 10 mijë njerëz e kanë organizuar një protestë paqësore në qendër të Athinës, në shenjë të pakënaqësisë me masat e kursimit.
Përleshjet sikur pushuan derisa kishte filluar debati në parlament, megjithqë qindra protestues kishin mbetur në Sheshin Syntagma të rrethuar nga prania e madhe e pjesëtarëve të policisë.
Shpërthimi i dhunës ndodhi derisa Tsipras ballafaqohej me një valë në rritje të armiqësisë nga anëtarët e partisë së tij, Syriza.
Liderët e grupit të eurozonës, më 13 korrik i kanë bërë presion kryeministrit Tsipras, që t’i pranoj shkurtimet e shpenzimeve publike, që ishin edhe më të ashpra se sa ato që votuesit grekë i refuzuan në referendumin e 5 korrikut.
Por, rritja e pjesës më të madhe të taksave të konsumatorëve dhe reformat e pensioneve, së bashku me ndryshimet e tjera në kuadër të tregut të lirë, janë në kundërshtim të drejtpërdrejt me politikat e partisë së krahut të majtë Syriza, të kryeministrit, Alexis Tsipras.
Nuk është menjëherë e qartë pas votimit, nëse mospajtimet brenda partisë Syriza, e rrezikojnë qeverisjen e zotit Tsipras.