Ndërlidhjet

Pesë persona të arrestuar për terrorizëm


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e rendit në Kosovë gjatë ditës së shtunë kanë arrestuar pesë persona nën dyshimin e bazuar për përfshirje në vepra penale që sipas Kodit Penal, ndërlidhen me terrorizëm.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar për aksionin e policisë që ka filluar që nga orët e hershme të mëngjesit.

“Sot në orën 1:40 minuta në magjistralen e Prishtinë - Gjilan, konkretisht në afërsi të Liqenit të Badocit njësitë policore fillimisht kanë arrestuar tre persona të dyshuar, në dyshimin e bazuar se janë përfshirë në vepra penale që ndërlidhet me terrorizëm".

"Lidhur me këtë rast janë inkuadruar edhe njësitet kundër terrorizimit të Policisë së Kosovës për të kryer hetime më intensive dhe si rezultat i veprimit me kohë të njësiteve policore, është arritur të arrestohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar që ndërlidhen me tre personat e parë”, ka sqaruar Kelani.

Personat e dyshuar, ka shtuar Kelani, kanë pasur dy vetura, njëra Golf 2 ngjyrë të kuqe dhe tjetra Pasat, po ashtu ngjyrë e kuqe. Në vetura, ka treguar Kelani, janë gjetur edhe disa dëshmi tjera, siç janë rroba dhe flamuj me mbishkrime arabe.

“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente dhe pesë personat e dyshuar, tanimë të arrestuar, janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, ka shtuar Kelani.

Nisur nga këto arrestime, të cilat janë bërë në afërsi të Liqenit të Badocit, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka ndërprerë furnizimin me ujë në disa lagje të kryeqytetit, që në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndërprerja e furnizimit me ujë për qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit, është bërë për shkaqe sigurie.

“Ne kemi bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe pas konfirmimit të arrestimit të atyre personave të dyshuar për vepra terroriste, në afërsi të Liqenit të Badocit, e kemi parë të arsyeshme të ndërpresim furnizimin me ujë”, ka deklaruar Mjeku.

Në orët e pasdites, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas analizave të bëra, ka konfirmuar se uji është i pijshëm.

Lidhur me ndërprerjen me furnizim me ujë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka theksuar se nuk është gjetur asnjë element që mund të ndërlidhet me helmim të ujit, por që për të qenë më të sigurt kishin kërkuar që të ndërpritet furnizimi dhe të bëhen analizat e ujit.

Policia e Kosovës ka theksuar se janë duke u kryer hetime të mëtutjeshme dhe se aktualisht nuk mund të japim më shumë informacione.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG