Ndërlidhjet

Kosova përkujton Srebrenicën


Srebrenicë...
Srebrenicë...

Kosova u është bashkuar organizimeve në përkujtim të njërit prej krimeve me përmasa gjenocidi të Srebrenicës, në prag të 20 vjetorit.

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, ka mbajtur një minutë heshtje për të nderuar rreth 8 mijë personat e vrarë në këtë masakër.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi me këtë rast se para 20 vitesh në Srebrenicë është kryer krimi më i madh në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Brenda dy ditësh mbi 8 mijë burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve të Millosheviqit. Mijëra familje u shkatërruan përgjithmonë. Një qytet që datonte prej kohës romake u zhbë brenda pak orësh. Fjalët gjenocid e spastrim etnik sërish njollosën ndërgjegjen njerëzore. Bota u trondit“, ka thënë Veseli.

Më tutje, Veseli tha se krimi në Srebrenicë shpërfaqi fytyrën e vërtetë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit i cili kreu krime të ngjashme edhe në Kosovë, duke vrarë e masakruar civil të pafajshëm. Por, ajo që mbetet edhe më e rëndë, vijoi Veseli, është se drejtësia nuk është përmbushur akoma.

“20 vite pas krimit në Srebrenicë e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë e vende tjera të Kosovës, drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja“, ka deklaruar Veseli.

Ndërkaq, deputeti boshnjak nga radhët e koalicionit VAKAT, në Kuvendin e Kosovës, Qerim Bajrami tha se dy deputetë boshnjak kanë propozuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Por, siç ka thënë ai për programin tonë, kryesia e Kuvendit nuk e kishte konsideruar të domosdoshme këtë rezolutë, pasi që në vitin 2005, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë për “Masakrën në Srebrencicë“, në të cilën pavarësisht emërtimit, në tekst figuron edhe termi gjenocid.

“Ne, boshnjakët e Kosovës, që shpresoj edhe me mbështetjen e shumicës së popullatës dhe komuniteteve tjera, mund t’ju shprehim keqardhjen tonë më të thellë dhe t’u themi atyre njerëzve se jemi me ta. Srebrenica është vetëm një prej vendeve i cili u shënua nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid. Këso gjenocide kanë ndodhur mjaftë nëpër Bosnje si dhe në shtetin tonë në Kosovë“, ka thënë Bajrami.

Në përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë, në qytetin e Prizrenit, ku jeton një popullatë e përzier shumë etnike, është thirrur të mbahet “Marshi i Paqes” për Srebrenicën.

Nesim Kallajgjini nga Organizata Joqeveritare Boshnjak – Kosova, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë organizim boshnjakët e Kosovës po u bashkohen nismave në mbarë botën për rikujtimin e gjenocidit të para 20 viteve në Srebrenicë.

“Për herë të parë në shtetin e Kosovës organizohet një marsh i tillë. Për faktin që Prizreni është një qytet shumë-etnik, ku jeton një numër më i madh i komunitetit boshnjak edhe marshi është thirrur të mbahet në këtë qytet“, ka thënë Kallajgjini.

Sipas organizatorëve, ishte koha dhe rendi që edhe Kosova t’u bashkohet organizimeve në mbarë botën në përkujtim të Srebrenicës.

Përndryshe, më 11 korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, rreth 8 mijë boshnjakë myslimanë u vranë nga forcat serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG