Ndërlidhjet

Maqedoni: Pezullohen reklamat qeveritare në media


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim për vendosjen e moratoriumit (pezullim i përkohshëm) për të gjitha fushatat komerciale, të cilat realizoheshin në media elektronike dhe billborde.

Kjo masë është e përkohshme dhe nuk përfshin fushatat publike pa pagesë dhe e njëjta do të jetë në fuqi deri në përcaktimin e kritereve për ndarjen e mjeteve buxhetore.

Petrit Saraçini nga Instituti i Mediave në Maqedoni konsideron se vendimi i Qeverisë për ndërprerjen e financimit të fushatave qeveritare në media të caktuara, do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në punën e mediave pro-qeveritare.

“Sigurisht se ky intervenim do të sjellë probleme për ato media, të cilat u mësuan të mos jetojnë nga tregu mediatik, por nga paratë e shtetit, në të vërtetë nga paratë e mbledhura nga qytetarët përmes taksave. Kjo mënyrë e financimit zhvilloi një treg virtual mediatik ku ka shumë lojtarë dhe fare pak publik".

"Andaj, ne duhet t`u kthehemi postulateve të demokracisë dhe ekonomisë së tregut, sigurisht se kjo do të sjell mbylljen e shumë mediave joprofesionale. Megjithatë, më duhet të theksoj se sado i dhimbshëm të jetë ky proces, ne duhet të dalim nga skema ku mediat funksionojnë jo nga ajo që e prodhojnë, por nga favoret dhe të hollat e dikujt tjetër”, vlerëson Saraçini.

Ndërsa, komunikologu maqedonas, Petar Arsovski, konsideron se moratoriumit për reklamat e qeverisë ka për qëllim që qeveria aktuale të krijojë përshtypjen para komunitetit ndërkombëtar se ja, po i përmbush kriteret e rekomanduara nga Brukseli.

“Vendosja e moratoriumit për reklamat e qeverisë paraprakisht pa u reformuar sistemi i shpërndarjes së mjeteve, të cilat qeveria i ka të planifikuara për fushata të ndryshme, nuk do të sjell asnjë rezultat. Kjo, sepse nuk mjafton që në kohë të caktuar të ndërpritet funksionimi i atij sistemi pa u bërë reforma thelbësore".

"Pra, nuk është kontestuese ajo që qeveria të reklamohet, por kontestuese është përbërja e reklamave dhe ajo që është edhe më kontestuese është forma e shpërndarjes së këtyre mjeteve. Për të pasur rezultate të dukshme në tregun mediatik, paraprakisht nevojitet një analizë serioze rreth të gjitha anomalive që kanë të bëjnë me eterin mediatik dhe jo vetëm sa për sy e faqe në kohë të caktuar të vendoset moratorium për reklamat e qeverisë”, thekson Arsovski.

Nga ana tjetër, Snezhana Trpceska, eksperte në lëmin e medieve, thotë se me rëndësi të veçantë është që kjo dispozitë të jetësohet në praktikë në tërësi dhe jo të mbetet vetëm në letër.

“Problemi qëndron në atë se fushat mediatike bëhen me paratë e buxhetit., Sipas meje, pjesa më e madhe e tenderimit gjatë fushatave mediatike nuk është ne rregull, përkatësisht e tërë procedura e tenderimit nuk është transparente. Duhet të jemi të vetëdijshëm se gjithmonë kur shpenzohen shuma të mëdha parash nga arka e shtetit, ekziston rreziku që më pas shteti të ushtrojë ndikim ndaj medieve, të cilave u ka shpërndarë para”, thekson Trpceska.

Por, ministri i Shoqërisë Informative, Ivo Ivanovski, në kuadër të debatit të organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, thotë se vendimi për të vënë në moratorium fushat komerciale në televizione, radio apo billborde duhet shikuar si “gjest i vullnetit të mirë”.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë, si gjest të vullnetit të mirë, ka marrë vendim që përkohësisht të vendosë moratorium për të gjitha fushat komerciale. Pra, me këtë të gjitha institucionet shtetërore duhet t`u japin fund reklamimeve të ndryshme në mediat komerciale”, shprehet Ivanovski.

Ndryshe, edhe në Raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian për vitin 2014 theksohej se në Maqedoni shteti ushtron kontroll mbi mediumet përmes reklamave qeveritare duke favorizuar mediat pro-qeveritare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG