Ndërlidhjet

Engel: Kosova të themelojë Gjykatën Speciale, jo OKB-ja


Themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte nga ana e institucioneve të Kosovës është zgjidhja më e mirë e mundshme, ka deklaruar të martën në Prishtinë, kongresisti amerikan, Eliot Engel.

Këto komente, Engel i ka bërë pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ai ka thënë se i kupton partitë politike dhe deputetët për vendimin e vështirë, por alternativa, sipas tij, nuk është në dobi të Kosovës, pasi që bëhet fjalë për dërgimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Mendoj se është me rëndësi që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin për Gjykatën Speciale. E di se bëhet fjalë për vendim të vështirë, të dhimbshëm dhe gati të pamundur. Por, alternativa tjetër e themelimit të Gjykatës Speciale do të ishte që ajo të formohej nga Kombet e Bashkuara. Unë nuk e besoj që Kosova do të kishte trajtim të drejtë në Kombet e Bashkuara. Kështu që nga dy alternativat, mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte që Kuvendi ta themelojë atë”, ka theksuar Eliot Engel.

Kongresisti amerikan, ka vizituar edhe Gjykatën Kushtetuese dhe institucione tjera të rëndësishme. Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të vendosin sundimin e rendit dhe ligjit duke mënjanuar ndikimet politike.

Engel, në Prishtinë njihet si mbështetës i denjë i shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. Ai ka përsëritur edhe me këtë rast se shteti amerikan do ta mbështes gjithmonë Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë do të qëndrojnë me Kosovën, me popullin e Kosovës, do të jenë vend mik, partner dhe aleat i Kosovës”, ka deklaruar Eliot Engel.

Ndërkaq presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se pret nga institucionet e vendit, Qeveria dhe Kuvendi, të gjejnë sa më shpejtë mënyrën e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, në respektim të vendimeve të vetë Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Por, Engel gjatë këtyre ditëve sa do të qëndrojë në Kosovë pritet të njihet nga afër me pozicionet e kundërta të partive politike rreth themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pranuar se konsensusi i kërkuar ndërmjet pozitës dhe opozitës në lidhje me Gjykatën Speciale për krime lufte tashmë po duket i pamundur që të arrihet.

“Duhet ta pranojmë publikisht se nuk po kemi pajtueshmëri në mes faktorëve të pozitës dhe opozitës për një qëndrim të përbashkët për amendamentet kushtetuese po aq as për dhomat e specializuara. Kjo është një situatë reale në të cilën jemi”, ka thënë Veseli.

Kongresisti Engel pritet të qëndrojë në Kosovë deri më 5 korrik. Gjatë kësaj vizite ai pritet të takoj përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit si dhe liderë partiak dhe ata të pushtetit lokal.

Në fund të vizitës, do të shihet nëse ai do të arrijë që të bindë qoftë subjektet politike apo deputetë individual që kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, që ta ndryshojnë mendjen.

XS
SM
MD
LG