Ndërlidhjet

Martesat e homoseksualëve: T’i ndalosh a t’i respektosh?!


Një ligjvënës rus do bllokimin e Facebook-ut për shkak të shpërndarjes së flamurit të ylberit. Një tjetër thotë se është koha që të lëvizet në drejtim të pranimit të komunitetit lezbik, homoseksual, biseksual dhe transseksual (LGBT).

Ndërsa, një prift i shquar ortodoks i Rusisë paralajmëron se Shtetet e Bashkuara po “vjedhin” shpirtrat e njerëzve.

Këto janë disa reagime konfuze dhe të menjëhershme në Rusi ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA-së për të legalizuar martesat midis çifteve të gjinisë së njëjtë.

Vitaly Milonov, ligjvënësi nga Shën Petersburgu, i cili është konsideruar si arkitekt i ligjit famëkeq rus kundër “propagandës homoseksuale”, ka bërë thirrje për ndalimin e plotë të Facebook-ut në Rusi, pasi shumë përdorues kanë shprehur mbështetjen e tyre për martesat e homoseksualëve, duke përdorur opsionin “Celebrate Pride”, i cili u mundëson atyre që të veshin fotografitë e profilit me flamurin e LGBT-së.

“Kjo është një shkelje bruto e legjislacionit rus. Facebook nuk ka kufizime të moshës. Është e pamundur të kontrollohet se sa përdorues të mitur ndodhen atje. Andaj, është krejtësisht normale që Facebook të ndalohet në territorin rus”, ka thënë Milonov, i cili nuk është zëri i vetëm kundër Facebook-ut.

Aleksei Lisovenko, ligjvënës komunal në Moskë, ka kërkuar që flamuri i ylberit të futet në listën e “simboleve të ndaluara” dhe të nxirret jashtë ligjit.

“Që prej shekullit të kaluar, SHBA ka shkatërruar të gjitha shtetet përmes revolucioneve me ngjyra, nën maskën e ‘demokratizimit’. Tani, ata kanë shtuar në arsenalin e tyre edhe homoseksualizmin, një metodë e re për të ndërhyrë në punën e shteteve sovrane”, ka shkruar Lisovenko në Facebook.

Opsioni “Celebrate Pride” në Facebook ka nxitur Rishat Shigapovin, drejtor i një kompanie të marketingut në internet, që të bëjë përpjekje për të luftuar flamujt me flamuj.

Përgjigjja e tij ka qenë krijimi i një aplikacioni, i cili mund t’i veshë fotografitë me të bardhë, blu dhe të kuqe – ngjyrat e flamurit rus.

“Jam shtetas rus dhe krenar për këtë”, ka shkruar Shigapov në faqen e tij në Facebook, ku ka vënë edhe fotografinë me ngjyrat e flamurit rus.

Aplikacioni, i përcjellë me thurjet #pridetobestraight dhe #pridetoberussian, ka marrë vëmendje të madhe të mediave në Rusi.

Kisha Ortodokse e Rusisë, megjithatë, ka thënë se kjo çështje shkon përtej patriotizmit.

Zëdhënësi i Kishës, Vsevolod Chaplin, ka paralajmëruar për rreziqet e “demokracisë së stilit amerikan” dhe ka përçmuar vendimin e Gjykatë së Lartë në SHBA si kërcënim ekzistencial për vlerat e perëndishme të Rusisë.

“Ata duan t’ju marrin të drejtën për të jetuar sipas besimit, t’ju marrin shpirtin, shansin për të ndërtuar jetën e komunitetit tonë në bazë të ligjeve të përjetshme dhe të pandryshueshme morale”, ka thënë Chaplin.

Megjithatë, jo të gjithë kanë kërcyer në kritika dhe akuza.

Konstantin Dobrynin, senator në Këshillin e Federatës, ka thënë se Rusia mund të përfitojë nga zbatimi i parimit “mos pyet, mos trego”. Kjo ka qenë një qasje qysh në vitin 1990 ndaj homoseksualëve që kanë shërbyer në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, por që është shfuqizuar nga presidenti Barack Obama më 2011, pasi është cilësuar si diskriminuese.

Dobrynin ka thënë se është çështje kohe që Rusia të kuptojë se duhet të marrë një qëndrim më të civilizuar dhe të lëvizë drejt pranimit më të madh të komunitetit LGBT.

“Për Rusinë, është e rëndësishme që të mos largohet nga realiteti i kohës dhe të mos bie në luftime të paqytetëruara kundër homoseksualëve, por të gjejë një formulim ligjor që do të sigurojë balancë mbi këtë çështje, midis pjesës konservatore të shoqërisë dhe pjesës tjetër”, ka thënë Dobrynin.

Brenda orëve, Milonov e ka shpallur senatorin “tradhëtar kombëtar”.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG