Ndërlidhjet

IS-i njësoj si edhe Saddami


Në vitet 1990, diktatori irakian, Saddam Hussein, ka shterur kënetat në jug të Irakut për të ndëshkuar fiset shiite, që e kanë kundërshtuar atë pas Luftës së Parë të Gjirit.

Tharja e tyre ka shkatërruar botën e egër dhe jetesën e njerëzve lokalë, që mbanin buaj uji atje.

Në vitin 2003, kënetat janë rimbushur dhe shumë buaj kanë rinisur të kthehen në zonë, por tani barinjtë e tyre po largohen sërish.

Në vitet 1990, Saddami ka qenë përgjegjës për krijimin e një katastrofe mjedisore në këneta, ndërsa tani fajtor është grupi militant i Shtetit Islamik (IS), i cili ka ndërprerë furnizimet me ujë në zonë, pasi ka marrë nën kontroll digat përgjatë Lumit Eufrat.

“Historia po përsëritet. Shteti Islamik ka të njëjtin mentalitet si Saddami”, thotë Sheikh Muhammad al-Asadi, një i moshuar nga zona e kënetave.

Siguria e ujit në Irak ka qenë çështje serioze shumë vite para shfaqjes së Shtetit Islamik.

Edhe para krizës aktuale, përdorimi i tepruar, ndotja dhe rritja e popullsisë kanë zvogëluar furnizimet nga Lumi Eufrat, i cili është burim kryesor i ujit për 27 milionë njerëz, jo vetëm në Irak, por edhe në Siri dhe Turqi.

“Kontrolli i pritave të ujit dhe puna hidroelektrike kanë pasur gjithmonë rëndësi gjeostrategjike në Irak”, thotë Matthew Machowski, hulumtues në Universitetin Queen Mary në Londër.

Andaj, nuk është e çuditshme që Shteti Islamik ka marrë lokacionet strategjike përgjatë Eufratit edhe në Irak, edhe në Siri, ku kontrollon digën Tabqah qysh në fillim të vitit 2013.

Zyrtarët irakianë thonë se prejse Shteti Islamik ka marrë kontrollin e digës Ramadi në provincën Anbar të Irakut, muajin e kaluar, furnizimi me ujë është përkeqësuar.

Militantët kanë mbyllur pjesërisht digën, duke bërë që shumica e ujit nga Eufrati të arrijë në Liqenin Habaniyah. Zyrtarët e sigurisë në provincë kanë paralajmëruar se “pasojat e tmerrshme” do të jenë të pashmangshme nëse nuk ndërmerret asgjë.

Kënetat jugore të Irakut janë tashmë në prag të katastrofës.

“Në një zonë ku temperaturat verore janë të larta, rreziku i thatësirave është i madh dhe nivelet e higjienës themelore janë jashtëzakonisht të varfra, përpjekjet për të devijuar rrjedhën e ujit mund të kenë rezultate katastrofike”, thotë Machowski.

Zyrtarët irakianë thonë se mungesa e ujit në jug të Irakut nuk është shkaktuar vetëm nga militantët e Shtetit Islamik, por edhe nga Turqia, e cila ka zvogëluar rrjedhën e ujit.

“Siç kemi mësuar nga Qeveria e Sirisë, pala turke nuk lëshon sasinë e duhur. Marrëveshja trepalëshe midis Turqisë, Sirisë dhe Irakut parasheh që Turqia të lëshojë 500 metra kub për sekondë ujë, por ajo nuk e bën këtë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Furat al-Timimi, nga Komiteti Parlamentar i Irakut për Bujqësi dhe Ujëra.

Siria po ashtu është ankuar nga Turqia, duke thënë se ajo ka shkelur marrëveshjen për shpërndarje të ujit.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG